Meta dhe Kryemadhi merren të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie

Tiranë, 27 maj 2025 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK ka marrë të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie ish-presidentin e Shqipërisë dhe kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, si dhe ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

SPAK i bëri me dije BIRN mbrëmjen e të martës se “ka marrë zyrtarisht të pandehur shtetasit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi dhe u ka komunikuar atyre akuzat”. Po ashtu, sqaroi se vijojnë hetimet dhe për të pandehurit e tjerë të dosjes.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Meta deklaroi nga qelitë e paraburgimit se e përshëndeste përfundimin e farsës hetimore te tejzgjatur të SPAK.

“Pres me padurim nisjen e gjykimit të këtij procesi, i cili do të jetë publik dhe do të faktojë botërisht se SPAK-u që nuk shikon krimin intelektual të inceneratorit që nuk ekziston dhe që lëshon urdhër-arreste fiktive për terroristët zgjedhorë, duke i lajmëruar që të largohen, është vetëm një organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës, që me ‘Task Force’ e saj anti-opozitë i dha atij një mandat të paligjshëm vetëm me qëllimin që të garantojnë mandate të përjetshme për veten e tyre,” pretendoi Meta.

Avokati i Metës, Kujtim Cakrani deklaroi për mediet se të mbrojturit prej tij iu komunikuan të tre akuzat. Sipas Cakranit, akuzat nuk qëndrojnë dhe solli në vëmendje se hetimi përfundoi në momentin e përfundimit të zgjedhjeve. Cakrani pohoi se dëshmitarët që duhet të ishin të pandehur janë të lirë dhe mbajnë dhe funksione publike.

Edhe Kryemadhi deklaroi për mediat pasi doli nga zyrat e SPAK se është marrë e pandehur dhe hetimi është drejt përmbylljes. Ajo deklaroi se janë të njëjtat çështje si ka qenë në tetor kur u bë publik nga SPAK rezultati paraprak i hetimeve ndaj tyre.

SPAK e akuzon Metën për ndikime korruptive dhe përfitime monetare në çështjen CEZ-DIA, në një marrëveshje interkoneksioni, si dhe për një marrëdhënie të dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji në favor të biznesmenit Samir Mane. Sipas SPAK, akuza të ngjashme rëndojnë edhe mbi deputeten Monika Kryemadhi. Nën hetim për këto çështje janë edhe ish-kreu i AKEP, Piro Xhixho dhe Ema Çoku, një financuese e LSI-së.

(Reporter.al)

Comment

*