Tiranë, 13 qershor 2024 – Ish presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, drejtuesi aktual i Partisë së Lirisë, qëndroi sot përmbi 3 orë në Prokurorinë e Posaçme. Nuk është e qartë se për cilin hetim ai ishte thirrur, por në deklarimet e tij la të kuptohej se ai ështe pyetur rreth çështjeve që lidhen me pasurinë e familjes së tij. Ish presidenti deklaroi se ai nuk është marrë asnjëherë me çështje pronash apo financash, për të cilat ai ia la përgjegjësinë bashkëshortes Monika Kryemadhi, marrëdhëniet me të cilën kanë njohur një krisje të fortë kohët e fundit. Zonja Kryemadhi, e cila është nën hetim pasuror, ishte po ashtu një ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme.
I thirrur dhe më parë në Prokurorinë e Posaçme, zoti Meta hyri sot në mjediset e saj duke sulmuar me nota denigruese drejtuesin e këtij institucioni Altin Dumani, siç ka ndodhur shpesh, veçanërisht në muajt e fundit: “Dum Dumani është ai që nuk guxon të hapë çështjen McGonigal. Eshtë kokë e këmbë me Edi Ramën”
Në dalje nga Prokuroria, pas pak më shumë se tre orësh, nuk i kurseu sërish akuzat ndaj zotit Dumani, ndërsa tha se “unë jam pyetur 3 orë, kot më kot, me gjëra që nuk kanë asnjë lidhje me mua, që kanë të bëjnë me veprimet e të tjerëve, miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të SPAK-ut”
Zoti Meta nuk dha shpjegime se në kuadër të cilit hetim ai ishte thirrur nga prokurorët, por më vonë, nga selia e partisë së tij, e quajti të turpshme seancën ku ai la të kuptohej se ishte pyetur mbi çështje financiare që lidheshin me të dhe familjen e tij. “Si mund t’i thuash ti Ilir Metës, a e njeh të Elenën. Po kush është Elena? Po ja, ajo punonjësja e Financës, e LSI. Po – i thashë – është njëra që ka punuar e ka ikur pa dorëzuar detyrën. Po patët mundësi i thoni, të vijë të dorëzojë detyrën se ka patur detyrë me rëndësi. A të ka thënë ty Elena, 5 mijë dollar në vitin 2006? Mua të më japë Elena? Nuk kishte si të më jepte se merrte rrogë te partia. Po janë në një numër llogarie që e ke ti me bashkëshorten tënde. Shkoni pyeteni atë, i thashë. Merren me histori, se mos ke diskutuar ti me Monikën në shtëpi, për këto veprime që ka bërë Monika në llogarinë e vet bankare, e ku e di unë përralla të tilla”, shpjegoi zoti Meta, duke përmendur disa nga pyetjet që ai tha se i ishin bërë nga prokurorët.
Qartazi, ai la çdo përgjegjësi mbi bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, marrëdheniet me të cilën janë tronditur thellë, edhe në aspektin politik, ku ajo u la jashtë funksioneve në partinë e Lirisë. “U bëra të qartë se unë as çështje pronash as çështje financiare, nuk kam patur asnjë përgjegjësi. Të gjitha përgjegjësitë, në mirëbesim, i ka patur Monika, dhe ata e kanë patur mysafire dhe dje, e mund ta kenë sa herë të duan, dhe ta pyesin. Unë jam marrë dhe merrem me politikë”, theksoi zoti Meta.
Zonja Kryemadhi ishte një ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme. Ndryshe nga bashkëshorti i saj, ajo nuk sulmoi në asnjë moment prokurorët, të cilët siç tha, “po bëjnë detyrën e tyre”. E gjendur nën hetim pasuror, ajo deklaroi se i ishte përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe se kishte ballafaquar të dhënat e saj me ato që kishte mbledhur dhe Prokuroria e Posaçme.
(Zëri i Amerikës)