Mexhiti: Vetëvendosje do të jetë pjesë e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut

Prishtinë, 30 janar 2024 – Kryetari i Lëvizjes Demokratike në Maqedoni të Veriut, Izet Mexhiti, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e mbështet opozitën shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe se Lëvizja Vetëvendosja (LVV) do të jetë pjesë e opozitës së atjeshme.

Sipas tij, LVV “de-facto” është pjesë e opozitës shqiptare që do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

“Zoti Kurti dhe Vetëvendosja e mbështesin sërish opozitën shqiptare, sikurse edhe mkurse më herët. Vetëvendosja është pjesë e opozitës shqiptare atje. De-jure nuk do të jetë, sepse nuk është regjistruar në Maqedoni, por de-facto tashmë është pjesë e opozitës shqiptare, sepse opozita shqiptare është pjesë e Lidhjes Evropiane për Ndryshim”, ka thënë Mexhiti në RTV Dukagjini.

Ai ka thënë se katër subjektet politike shqiptare opozitare në Maqedoninë e Veriut tani janë duke hartuar programin e përbashkët zgjedhor, bashkë me përfaqësues të Vetëvendosjes.

“Veç jemi duke e përgatitur programin zgjedhor dhe atë janë duke punuar katër subjektet dhe përfaqësuesit e LVV-së, si Arbër Zaimi, Bekim Qoku dhe ekspertë të tjerë”, ka thënë Mexhiti.

Të martën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në zyrën e tij liderët e katër subjekteve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut: Arben Taravarin, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Bilall Kasamin, Kryetar i Lëvizjes BESA, Izet Mexhitin, Kryetar i Lëvizjes Demokratike dhe Afrim Gashin, Kryetar i Alternativës.

Në këtë takim që u zhjvillua në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut dhe të zgjedhjes së Presidentit të këtij vendi, temë e diskutimit kanë qenë këto zgjedhje, me theks në zgjedhjen e presidentit.

Sipas njoftimit të zyrës së Kurtit, liderët e katër subjeteve politike shqiptare janë deklaruar për propozimin e një kandidati shqiptar për President të Maqedonisë së Veriut.

“Së bashku diskutuan për situatën në rajonin e Ballkanit, për fqinjësinë e mirë dhe perspektivën e partneritetit të rëndësishëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

(r.m.)