Michel: E përkrahim idenë për organizimin e një konference për Kosovën e Serbinë

Bruksel, 29 qershor 2023 – Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se në BE përkrahet ideja për organizimin e një konference ndërkombëtare për Kosovën e Serbinë.

Të enjten, pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, Michel ka thënë se ka ardhur koha që Kosova dhe Serbia të bëjnë “hapa të qartë” në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve midis tyre.

Sipas tij, konferenca do të organizohej nga “disa shtete shumë aktive” të BE-së, “në bashkëpunim me SHBA-në”

“Dua të jem i qartë, ne e plotësisht përkrahim angazhimin e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell. Po ashtu, dua të them se e përkrahim idenë që, sa më shpejt të jetë e mundur, të organizohet një konferencë me disa shtete anëtare shumë aktive, për ta përkrahur angazhimin e ndërmjetësimit, në bashkëpunim edhe me SHBA-në. Muajt e fundit i kemi parë disa vështirësi që kanë çuar në eskalim. E ndjejmë se po vjen koha për të pasur një qasje globale. Ka ardhur koha të bëhen hapa të qartë në drejtim të normalizimit. Është shumë me rëndësi që ne në BE duam të bëjmë më të mirën për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Michel.

Ideja për organizimin e një konference për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbi është lansuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Sipas idesë së tij, “kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk do të lejoheshin të dalin nga konferenca “pa arritur një marrëveshje’

“Shpresoj shumë që ideja e konferencës së nivelit të lartë do të marr vëmendje e ku do të marrin pjesë liderët e dy palëve dhe ekipet e BE-së dhe SHBA-së, dhe të mos lejohen ata të dalin pa arritur një marrëveshje, ndryshe pastaj për t’u përballur me pasojat e asaj, që do të jetë shumë e dhimbshme për të gjithë”, kishte thënë Rama, javën e kaluar, në Bruksel.

(r.m.)