Mickoski dënon thirrjet antishqiptare në Kumanovë, e cilëson akt të nacionalizmit dhe ksenofobisë

Shkup, 4 gusht 2025 – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i ka dënuar thirrjet antishqiptare të një grupi të tifozëve gjatë ndeshjes basketbollistike mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, të zhvilluar në Kumanovë.

Të shtunën, më 2 gusht, në ndeshjen e fazes së dytë parakualifikuese për Kupën e Botës që do të mbahet në Katar më 2027, në Kumanovë, u dëgjuan edhe thirrjet “vrite shqiptarin!”, “shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri Maqedoni nuk do të zhduket”, “Maqedoni e pastër”, e të tjera.

Kryeministri Mickoski, i cili ishte i pranishëm në ndeshje, reagoi të hënën lidhur me këto thirrje, të cilat i cilësoi si “thirrje nacionaliste dhe ksenofobe”.

“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për t’iu bashkuar dënimit të nacionalizmit dhe ksenofobisë – së pari për atë që ndodhi gjatë ndeshjes së basketbollit ndërmjet Maqedonisë [së Veriut] dhe Rumanisë, e më pas për të dërguar një mesazh te të gjitha grupet e tifozëve: të mbështesin në mënyrë sportive, ta përkrahin ekipin e tyre dhe përfaqësuesen kombëtare të Maqedonisë”, tha Mickoski.

Mickoski tha se gjatë ndeshjes, ndonëse ishte në sallë, nuk i kishte vënë re thirrjet e grupit të tifozëve, të cilin e quajti “një grup i vogël njerëzish”, por shtoi se akti “do të jetë objekt hetimi dhe sanksionesh, pa marrë parasysh nga vjen”.

“Dua të përsëris edhe një herë: e dënoj në mënyrë absolute brohoritjen e pazakontë dhe të papranueshme të disa individëve, të cilët nuk hasën në mbështetje nga asnjë prej të pranishmëve në sallë”, tha ai.

Kurse ministri i Sportit, Borko Ristovski, tha se kjo ministri nuk mund të reagojë konkretisht ndaj kësaj ngjarjeje, “sepse nuk vjen nga ndonjë subjekt sportiv, por vjen nga tifozë në tribunë dhe ne nuk kemi asnjë kompetencë për të reaguar kur bëhet fjalë për tifozët”.

“Megjithatë, le ta shfrytëzoj këtë rast për të bërë një apel: në Maqedoni nuk ka nevojë për brohoritje të tilla, as nga njëra anë, as nga tjetra, nga askush, nga cilado anë që të vijë”.

Ai shtoi se “nga pozita e Ministrisë së Sportit, nuk mund të bëjmë gjë tjetër përveç se të ndihmojmë në identifikimin e tyre dhe të veprojmë në përputhje me ligjin”.

Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka bërë të ditur se ka hapur procedurë hetimore dhe ka udhëzuar Sekretariatin e Punëve të Brendshme në Kumanovë të hetojë elementet e veprës penale të mundshme, të lidhura me gjuhën e urrejtjes. Sipas njoftimit, Prokuroria ka dhënë urdhër edhe për sigurimin e regjistrimeve nga kamerat e sigurisë në sallë, me qëllim identifikimin e autorëve të këtij incidenti.

Kodi Penal i Maqedonisë së Veriut parasheh dënime për thirrjet raciste dhe për gjuhë të urrejtjes. Neni 319 parashikon burgim nga një deri në pesë vjet për këdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje apo jotolerancë mbi baza racore, fetare, etnike apo kombëtare.

(r.m.)