Midhat Frashëri dhe albanologjia

Rexhep ISMAJLI

(Kumtesë e paraqitur në promovimin e vëllimit 8 të veprës së zgjedhur të Mid’hat Frashërit, në Tiranë, më 29 maj 2023)

Jam i nderuar dhe i emocionuar të marr pjesë në këtë përurim të vëllimit VIII të kolanës Vepra të intelektualit të shquar Midat Frashëri të përgatitur nga Z. Uran Butka në botim të Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skendo”.

Në këtë vëllim janë përfshirë shkrimet albanologjike të dijetarit, diplomatit, veprimtarit themelues të ideve e bërthamave të institucioneve kulturore, botuesit e publicistit, prijësit politik Midat Abdyl bej Frashërit, të njohur me pseudonimet Mali Kokojka, Lumo Skendo, të lindur në Janinë, të formuar nën ombrellën e Abdyl, Sami e Naim Frashërit dhe në shkollat e zgjedhura të Stambollit. Personalitet me kulturë të gjerë perëndimore: zotëronte frëngjishten, gjermanishten, greqishten, kishte njohuri për anglishen, italishten, kishte marrë mësime të thelluara për latinishten, e njihte dhe jetonte botën intelektuale orientale dhe gjuhët e saj – osmanisht, persisht, arabisht, por mbi të gjitha ndiqte si të vetin idealin e t’et dhe të xhaxhallarëve për pavarësimin e botës shqiptare, për Shqipërinë e pavarur në përmasat e saj natyrale.

Veprimtaria krijuese intelektuale dhe shkrimtaria e Midhat Frashërit i përket pjesës së parë të shekullit XX: e shquar, e rëndësishme, por e heshtur apo ndaluar fare në pjesën e dytë të atij shekulli. U rikthye në vëmendjen e publikut shqiptar në kapërcyellin nga sh. XX në sh. XXI. Heqja e ndalesave me rënien e komunizmit nuk do të thoshte automatikisht rinjohje të vlerave të damkosura me stigmë për gjysmë shekulli. Kjo rinjohje, për shumë prej shqiptarëve njohje për herë të parë, duhet të kalojë nëpër procesin e ribotimit e të përhapjes së veprës së dijetarit të shquar, shkrimtarit të hershëm, punë të cilën po e bën me ngulm, entuziazëm, seriozitet e dashuri tashmë dy dekada Z. Uran Butka. Menjëherë këtu desha të vë në pah po ashtu se një punë të lavdueshme e ka bërë Fondacioni ALSAR në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë e me përgatitje të profesoreshës Persida Asllani që ka nxjerrë në vëllime të pëlqyeshme botimin anastatik të revistës “literare dhe diturake” të Midhat Frashërit – Diturija 1909-1929.

I biri i Abdyl bej Frashërit, i lindur më 1880 – në kohën e Lidhjes së famshme të Prizrenit, ndeshjen e parë me dorën e fortë të pushtetit e ndjeu në moshën 17-vjeçare, kur u burgos për shkak se me vete e kishte pasur revistën shqip Albania të Faik Konicës, që nuk lejohej në Perandorinë Osmane. Një vit më vonë e ndeshim aktiv te Ditërrëfenja (Kalendari) kombiare të Sofjes, ku do ta gjejmë me shumë shkrime, komente, studime deri në vitet ’30 të sh. XX.

Përtej mjeshtrisë së farmacistit, për çka kishte bërë studime të rregullta, Midhat Frashëri me tërë dinamizmin e shpirtit të tij, iu dorëzua veprimtarisë në frymën e trashëguar të idealeve të Rilindjes, por gjithnjë me begatimet që sillnin koha dhe zhvillimet në faza të ndryshme. Intelektual në kuptimin modern të fjalës, Midat Frashëri angazhimin e kishte përbërës të qenies së tij: shkruante, prodhonte ide, por edhe vihej në veprim për realizimin e tyre në rrethanat konkrete, dinamike e shumanshëm të kushtëzuara, dialogonte me kohën dhe idetë e saj, shpesh printe. I tillë, ai nuk ngurronte t’i futej jetës organizative, si në rastin e Kongresit të rëndësishën për tërë zhvillimet në vijim të historisë shqiptare të Manastirit, Kongresit të Elbasanit, shërbimeve në dikasteret ministrore, diplomatike, organizimit të rrjetit librar-bibliotekar, deri edhe organizimeve puro politike, si në rastin e themelimit e të drejtimit të një force të djathtë në momentin kur e vlerësonte se bota shqiptare ndodhej para rreziqeve që mund të vareshin nga zhvillimet brenda saj.

Angazhimi me tërë qenien në këtë vorbull atij i ndodhi në dekadën e fundit të jetës, në kohën kur tashmë kishte realizuar shumëçka në jetën e tij intelektuale. Kthesat në këtë fazë të historisë sonë qenë të atilla që gjithë veprimtarinë e tij mendje-ndriçuese, emancipuese në fushën intelektuale, në fushën e shkrimtarisë, të zhvillimit kulturor, të ideve, e vunë në embargo për breza të tërë gjatë sundimit të komunizmit dhe të orientimit të politikës shtetërore nga lindja (gjithsesi sllavombisunduese). Sjellja në vëmendjen e opinionit të gjerë kulturor shqiptar e veprimtarisë së këtij intelektuali me përmasa europiane në të gjitha dimensionet e veprimtarisë së tij, ashtu si e të tjerëve që i kishte eklipsuar shtresa e trashë ideologjike që kishte kapluar kulturën shqiptare, po na çon drejt ridimensionimeve të tërë historisë kulturore, të zhvillimit të ideve në vorbullin jetësor shqiptar të sh. XX.

Midhat Frashëri është një nga themelorët në këtë drejtim, ndërsa ashpërsinë dhe egërsinë e rrjedhave ideore e mendore që kanë shpënë tek ato ndalesa dhe tek ai eklips në pjesën e dytë të shekullit XX dhe pasojat e tyre i dëshmojnë dhe reagimet e përdhosjes së bustit dhe të varrit të tij të sjellë në atdhe vetëm pas 7 dekadash.

Në vëllimin që po përurojmë sot të veprave të Midat Frashërit përmblidhen ato që njohësi i cilësuar i veprimtarisë së tij, Z. Uran Butka, i ka përfshirë me një term të gjerë – albanologji.

A ishte Midhat Frashëri albanolog?, na lejohet të pyesim menjëherë, gjithsesi pasi të kemi lexuar me vëmendje sprovat që janë bërë për historinë e kësaj dijeje. Këtu kam nevojë për një sqarim. Midhat Frashëri si intelektual, si shkrimtar, si studiues i së kaluarës dhe i zhvillimeve brenda botës shqiptare, si veprimtar në ato zhvillime, si dijetar me diapazon të gjerë interesimesh, në qendër të të gjithave e kishte botën shqiptare. Në këtë kuptim, në pajtim me përkufizimin e albanologjisë në FESh nga A. Dodi e S. Mansaku – si “tërësi e studimeve për historinë, gjuhën dhe kulturën e popullit shqiptar”, gjithsesi po – ai ishte albanolog, kuptohet dhe shumëçka përtej. Në FEK, në vijën e idesë së shprehur nga S. Riza në vitet ’50 të sh. XX, kemi ndjekur një nuancim të mëtejmë duke theksuar dallimin midis albanologjisë (koncept i krijuar në botën e studiuesve të jashtëm për të përfshirë brenda gjithëçka që ka të bëjë me shqiptarët, “fushë komplekse studimi të gjuhës, të letërsisë, të historisë, të etnologjisë dhe të kulturës shqiptare përgjithësisht”) dhe albanistikës (“kompleks fushash të studimit të gjuhës shqipe”), pra si romanistikë, italianistikë, ndërsa në praktikë kanë qenë në veprim të dy versionet: vështrimi albanologjik ishte i përhapur ndër ne: Instituti Albanologjik, Gjurmime albanologjike (ku përfshihen të gjitha dijet e përmendura), Akademia e Studimeve Albanologjike, në një anë, dhe Katedra e Albanologjisë (vetëm studimet e gjuhës, të letërsisë e të folklorit) e ndarë nga katedra e historisë, e etnologjisë, etj.

Në frymën e specializimeve disiplinore të sotme këta terma bëhen ngapak fluidë. Kjo përligjet me përkufizimin që bënte vetë Lumo Skendo në vështrimin Katedrat e gjuhës shqipe në vende të huaja (ose dituri e shqipes) te Diturija 1 mars 1927, nr. 5, f. 161: “Afër pesëdhjetë vjet më parë kanë zënë të përdoren fjalët albanolog, albanologji për të rrëfyer diturinë e gjuhës shqipe dhe dijetarin, që merret me të, që studion shqipen në marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indo-evropiane, nga pikëpamja e gramatikës së krahasuar, nga ana e etimologjisë, që kërkon dhe oirigjinën e racës shqiptare në raportet e saj me kombet e moçëm të cilët historia i quan pellazgë, ilirianë, maqedonas, thrakë, frigë…” Dhe shtonte se këto studime kishin implikime në vështrimin e historisë së gjuhëve të Ballkanit, por “albanologjia hedh ca nga ca shkëndija dhe dritë mbi popujt e vjetër…”

Më tej Lumo Skendo jepte shënime të sakta për institucionet që ishin marrë me studimet e shqipes deri në atë kohë nëpër Europë, gjithë duke theksuar se albanologjia kishte mbetur “kryesisht një dituri gjermane në duar të diejtarëve alemanë”. Por me kohë, shtonte ai, erdhi e u rrit dhe “një merak shkencor, mbi të cilin … u shartua edhe një in¬teres politik” për këtë “dituri e cila na prek jo vetëm nga pikëpamja thjeshtë spekulative shkencore, po edhe për politikën tonë kombiare, për mbrojtjen dhe lartësimin e shqiptarizmës”, f. 165.

Te shqiptarizma shihte ai ombrellën diturake ku do të përfshihej albanologjia në kuptimin e albanistikës, gjithë duke vënë në spikamë veprimin e ideve që u formuan pas përparimit të albanologjisë, që kur u njohëm jo si popull i ardhur prej Azisë, “po autoktonë dhe trashëgimtarë të popujve më të vjetër… Nga kjo, pra, edhe e drejta jonë në truallin ku banojmë. Duke pasur lidhje midis albanologjisë dhe politikës, është nevojë që të kemi një zë në një dituri, që na prek kaq së afërmi dhe jashtë qarkut të shkencës së thjeshtë”, aty, f. 166.

Lumo Skendo nuk ishte albanist, as albanolog në kuptimin teknik të gjuhëtarit specifikisht, as të historianit, e aq më pak të etnologut apo arkeologut. Por ai merrej intensivisht me tema “albanologjike” në një kuptim të gjerë, po dhe të mirëfilltë. Mjafton të përmendim vështrimet e tij për gjuhën, për tekstet e shkruara shqip – të hershme dhe të mëvona, shqyrtimet e tij për hapësirat etnografike shqiptare në veri e në lindje, edhe më shumë për Epirin, të cilat gjithsesi kanë një vlerë për këto studime. Biografia e tij e Naim bej Frashërit mbetet gjithnjë burim themelor për studimet naimiane. Hulumtimet dhe studimet e tij për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit mbetën gjithashtu në themel të studimeve të mëvonshme. Më në fund, shqyrtimet e tij të rëndësishme, por të heshtura për një kohë të gjatë, Sllavë e shqiptarë, Epiri, Shqiptarët, etj. gjithsesi hyjnë në të dy vështrimet e përmendura të albanologjisë. Në numrin e parë 1 janar 1909 të Diturisë ai vinte me diskutimin albanistik par excellence Istori e shkrimit shqip, për të vazhduar me ndihmesa reale në këtë fushë studimi. Po, Midhat Frashëri ishte dhe albanolog, por, albanologjia e tij, ashtu si çdo gjë tjetër që bëri në jetë ky dijetar, do parë në dritën që e kishte formuluar ai vetë shumë herët te shkrimi Ku jemi? te Kalendari kombiar i vitit 1901: “është një punë që ka për qëllim shpëtimin e një kombi, e një Shqipërie, që ka vleftë sa e tërë gjithësia!”.

Në këtë frymë i gjejmë shkrimet Ç’fituam nga Kongresi i Manastirit (Lirija, Selanik 1908), ku shquante si fryte të Kongresit dhe të bashkimit të Abesë atë që ai quante “ndarje nga një çështje bizantine, që na nxinte faqen gjer më sot” dhe, mbi të gjitham “bashkimin e shqiptarëve”. Vijojnë thirrje dhe veprimtari për përhapjen e shkollave, për thellimin e dijeve, pra edhe të studimeve për gjuhën dhe për albanologjinë.

Te Diturija 1909 ai botonte shkrimin A do të kemi një të vetëm gjuhë letrare shqip?, në të cilin pasqyronte zhvillimet në këtë fushë sipas varianteve të gjuhës letrare gege e toske me të gjitha nuancimet, gjithë duke theksuar nevojën për “një gjuhë të përgjithshme, e cila do të jetë për tërë shqiptarët”, të cilën ishte i prirur ta kërkonte jo “në anët [skajet] e Shqipërisë”, po në qendrën e saj, “në dialektet e qendrës që janë pa dyshim më të kthjellët”, për ta forcuar më tej këtë themel duke marrë lëndë prej të tjerëve dialekte të Shqipërisë. Në historinë tonë gjërat pas formimit të shtetit të vitit 1912 me ‘raison d’État’ si mbështetje logjike dhe pas ndarjeve në tërë shekullin, me intransigjencën ideologjike, morën rrugë të tjera zhvillimi.

Midhat Frashërit i detyrojmë një varg shkrimesh me vlerë ndriçuese për veprimtarinë në fushën e alfabetit dhe të gjuhës e të kulturës që nga Kanonizma dhe Shoqëri e Stambollit e deri te Kongresi i Manastirit, për historinë e shkrimit shqip, për Naim Frashërin, për Shqiptarët në Greqi, të arbëreshëve në Itali, për Dora d’Istrian, për veprimtarinë e shqiptarëve në Rumani, për Fjalorin e Marko Boçarit, për burimet e historisë shqiptare, për historinë e Shqipërisë, etj.

Lumo Skendo ka meritën e ndërmarrjes së paraqitjes për lexuesit shqiptarë të shkrimeve me mbititull të gjerë Duke kënduar një libër, të botuara nëpër revista të ndryshme, si te Hylli i Dritës, Diturija, Dodona, Edukata e re, Besa, etj., me synimin që “t’u jap një njoftim mbi veprat që botohen për Shqipërinë dhe t’i mbaj në korrent të ideve të botës, për sa i takon vendit tonë”, punë të cilën ai e shihte jo vetëm si kuriozitet, si merak e si albanolog, “po më tepër një detyrë politike dhe patriotike”. Dhe gjejmë aty shkrime për autorë si P. Skalione, Leon Maccas, Kristo Dako, Justin Godart, Edmond Bouchié de Belle, Henry Baerlein, Jacques Bourchard, Harold W. V. Temperley, Jacques Ancel, Rose Wilder Lane, Atë Ali Tyrabiu, Jan & Cora Gordon, Gaetano Petrotta, Mario Roques. Kësaj i do shtuar një punë e jashtëzakonshme bibliografike e pasqyruar te revista Diturija me shumë shënime si për revistat, ashtu edhe për botimet e veçanta, vërejtje kritike dhe situime përkatëse për botimet,

Nuk mund të mos pajtohem me profesoreshën Persida Asllani, e cila me në parathënien për ribotimin e Diturisë i cilësonte me mprehtësi si “mbresëlënëse leximet erudite të Lumo Skendos në ciklin “Udhëtarët e huaj në Shqipëri gjer në fund të shekullit 19-të” … duke sjellë një korpus prej 26 dëshmish unike mbi Shqipërinë dhe hapësirën ballkanike”.

Ndihmesë të vërtetë për albanologjinë në kuptimin që i jepte ai, po edhe në përgjithësi, Midhat Frashëri ka sjellë me shqyrtimet kritike të tij, me shkrimet për çështje të veçanta, ashtu si me krijimin e hapësirës për diskutime me intelektualë shqiptarë dhe albanologë të kohës, si H. Pedersen, N. Jokl, N. Borgia, G. Weigand, M. Roques, S. Pop, M. Šufflay, Gj. Pekmezi, K. Gurakuqi, A. Xhuvani, M. Logoreci, P. Ikonomi, etj.

Vlerë të madhe për kohën, në disa aspekte të ruajtur edhe sot, për mua paraqesin studimet e tij të veçanta me notë të theksuar të angazhimit veprat La population d’Epire, Lausanne 1915, L’Albanie et les Albanais, Lausanne, 1918, Albanais et Slaves, Lausanne 1919, në të cilat me një diskurs të formuar shkencor, me shumë informacione dhe argumentime të detajuara Lumo Skendua paraqitte, argumentonte dhe mbarështronte diskutimet për çështjen shqiptare në dritën e turbullirave që kishin ndodhur gjithsesi në dëm të fatit tonë si popull në ato dekada. Argumentimet e tij janë racionale, pa përndezjen polemike dhe me dokumentime të shtruara, pikërisht edhe diplomatike.

Formimi që mund të quhet albanologjik dhe angazhimi intelektual e diplomatik, informimi burimor dhe i përditësuar ia kishin bërë atij të mundshme ta shkoklonte diskursin mashtrues imperialist, ndonjëherë edhe të pafshehur racist, prapa të cilit qëndronin mëtesat e shteteve përreth që synonin të zhvatnin hapësirat shqiptare. Këtë e kishte bërë ai me shpjegimet për rrjedhat e përcaktimit të përkatësive fetare e në ndërlidhje më këtë edhe kombëtare në Perandorinë Osmane, që në një moment “të gjithë të krishterët ortodoksë të Turqisë Evropiane u quajtën grekë”, kështu që “të gjithë shqiptarët, bullgarët, rumunët dhe vllahët u quajtën roumë (grekë)” ndërsa myslimanët si islam. Sipas tij, grekëve prandaj “iu pëlqen të ngatërrojnë kishën me kombësinë”. Në këto rrjedha ai sillte sqarime të shumta të ngatërrimeve në këto procese lidhur me tërë popullsinë e Epirit.

Janë të vlefshme edhe sot shkoklimet kritike, të ftohta të elementeve të diskursit zyrtar, shkencor e shtetëror serb për prodhimet konceptuale si “Serbia e vjetër jugore” (južna stara Srbija). Përmes të tillave prodhime diskursive përpiqeshin të arsyetonin përfilljen e “argumentit historik”, sepse atje dikur ka sunduar shteti serb, kështu që ato hapësira i takuakan edhe pas shekujve të Perandorisë Osmane shtetit të tashëm serb, paçka se atje jetonin shqiptarët si shumicë, se sllavët kanë ardhur këndej në Mesjetë. Po në këto argumentime ai demaskonte floskulat plotësuese të këtij diskursi argumentues të pushtimit për “lumin shkretisjellës shqiptar” (pustonosna arbanaška reka), për egërsinë e pretenduar të tyre, ashtu si për nevojën që dalka që fuqitë ta kanalizonin atë në shtratin e vet dhe nga “lumë shkretues” ta bënin të dobishëm. Ata kishin prodhuar po ashtu konceptin e tyre për “serbët e shqiptarizuar” (poarbanašeni Srbi), që kuptonte një pjesë të madhe të shqiptarëve andej Drinit, sipas tyre edhe të ndryshëm nga këta këndej Drinit. Floskulave të tilla e të ngjashme të përhapura gjerësisht nga studiues të financuar nga shteti si G. Jakčić, J. Tomić, J. Cvijić, S. Gopčević, V. Ðorđević, J. Hadživasiljević, për një pjesë deri edhe shkrimtarë si B. Nušić dhe tërë një shpurë detraktorësh publicistikë e zyrtarësh shtetërorë, të ndihmuar nga studiues e diplomatë rusë si I. Jastrebov, Makušev, Florinskij, Hilferding, u përgjigjej me argumentime Lumo Skendo në gjuhën frënge. Ngjashëm me këto, më duken të rëndësishme denoncimet që sillte Lumo Skendo për shpërdorimin nga qarqet zyrtare, kulturore e shtetërore greke të përkatësisë fetare ortodokse dhe manipulimet e raporteve të përkatësisë fetare me kombëtaren në dobi të synimeve helenizuese. Sa të fuqishme kanë qenë ato manipulime në të dy skajet e tërësisë kombëtare shqiptare shihet qartë edhe kur pas një shekulli të demaskimit floskulat e tilla propagandistike serbe rikthehen në opinionin e tyre në vitet ’90 të sh. XX.

Midhat Frashëri nuk kishte pushuar me kaq, në të tilla raste sillte argumentime të ftohta, sqarime konceptuale, statistika dhe dëshmi nga burimet neutrale, shpesh greke, serbe apo bullgare, që shpërfaqnin pikërisht të kundërtën dhe e nxirrnin përfushë padrejtësinë e shkaktuar ndaj këtij populli nga shtetet grabitqare fqinje dhe të bërë të mundur nga fuqitë e mëdha të ngërthyera në interesat e tyre gjeopolitike. Pa dijen dhe njohjet e thelluara albanologjike e tërë kjo ndërmarrje nuk ka qenë e mundshme. Sensi diplomatik, vullneti për kërkimin e drejtësisë kombëtare, natyra prej intelektuali të angazhuar e ngrinin atë në nivelet më të larta.

Midhat Frashëri ka merita për albanologjinë dhe në drejtime të tjera: si organizues i veprimtarive, botues, afrues i studiuesve të botës në këto fusha dhe nxitës e joshës i tyre për të vazhduar të merreshin me këtë dije me peshë themelore për fatin e këtij populli, por ende në mungesë të institucioneve përkatëse brenda vendit. Letërkëmbimi i gjerë, ndërhyrja për të lehtësuar studimin dhe botimin e dokumentacionit të së kaluarës shqiptare, si në rastin e M. Šufflayit, ndërmjetësimet te N. Jokli apo G. Weigandi, e shumë të tjerë, e dëshmojnë këtë shumë qartë.

Më në fund, bibliografitë, bibliofilia dhe frymëzimi i krijimit të bibliotekës së madhe kombëtare nuk kanë qenë më pak të rëndësishme për zhvillimet dhe të ardhmen e asaj që sot njohim njësoj si albanistikë dhe albanologji. Bibliografitë e Mihat Frashërit botuar kryesisht te revista “Diturija” qysh në fillimet e saj dhe në vazhdim, përbëjnë një punë shkencore të gjerë dhe të thelluar albanologjike mbi botimet shqiptare dhe të huaja, siç konstaton edhe profesoresha Dhurata Shehri, ashtu si edhe Bibliografitë Shqiptare (shtim në radhonjtë e Emile Legrandit), ku Midhati plotëson në këtë fushë edhe filologun e njohur francez Legrand.

Midhat Frashëri ishte frymëzues, koncpetualizues dhe nxitës i krijimit dhe rritjes së institucioneve kulturore, që do ta çonin më tej dijen tonë, siç ishte edhe projekti i tij për themelimin e Institutit Albanologjik në Tiranë.