Prishtinë, 7 gusht 2025 – Mijëra qytetarë protestuan të enjten në Prishtinë “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në protestën, që u organizua nga kategoritë e dala nga lufta, morën pjesë qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës, por edhe nga vende të rajonit.
Organizatorët e protestës dhe folësit e tjerë kërkuan që për të akuzuarit nga Gjykata në Hagë të ketë “drejtësi dhe jopadrejtësi”. Gjykata Speciale u akuzua se është e njëanshme dhe se po tenton ta zhvendosë fajin nga “pushtuesit te çlirimtarët”. Po ashtu u tha se drejtësia selektive prodhon padrejtësi.
Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati, tha para protestusve se sot po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës së UÇK-së. Ai tha se Specialja po e deformon historinë e Kosovës, duke theksuar se kjo gjykatë është “kundër UÇK-së dhe kundër Kosovës”.
Gucati tha se Gjykata Speciale po e përhap narrativin “e rremë se Kosova është çliruar nga kriminelët”, duke shtuar se vendi është çliruar nga UÇK-ja, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.
“Kjo nuk është drejtësi, kjo është dhunë politike. Ky është kriminalizim i UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s”, tha ai.
Gucati përsëriti qëndrimin se veteranët “besojnë në drejtësi, por nuk duan padrejtësi”.
Nevenka Tromp, e cila ka qenë hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi për një dekadë, e nisi fjalimin e saj me sloganin “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Ajo tha se ky slogan “nuk është thjesht slogan, por realiteti i dhimbshëm” me të cilin po përballet Kosova.
Ajo tha se “gjykatat duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme dhe nëse drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, pasi rrezikon të jetë padrejtësi”.
Tromp kujtoi se ish-krerët e UÇK-së shkuan vullnetarisht në Hagë, sepse besuan se do të ketë drejtësi.
“Këta udhëheqës ishin ata që e mbështetën krijimin e kësaj gjykate. E bënë këtë, duke e ditur rrezikun që kanosej ndaj të gjithë luftëtarëve. Sepse ata besuan në drejtësinë e kauzës së tyre”, tha Tromp.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, tha se ish-krerët e UÇK-së po trajtohen padrejtësisht nga Gjykata Speciale. Ai tha se lufta e UÇK-së ka qenë luftë e pastër.
“Sot kërkojmë të drejtën tonë, UÇK-ja ka bërë një luftë të drejtë, për liri, për çlirim nga pushtimi. Ajo i është përmbajtur ligjeve ndërkombëtare të luftës. Nuk është marrë me të pafajshmit, nuk ka vrarë civilë, gra, fëmijë, apo pleq”, tha ai.
Sipas tij, “Serbia po bën çdo gjë për të zhbërë pavarësinë e Kosovës përmes Gjykatës Speciale të Hagës” dhe e vlerësoi të papranueshme që kjo gjykatë të marrë materiale nga Serbia.
Ahmeti tha se derisa ish-krerët e UÇK-së akuzohen për luftën çlirimtare, përgjegjësit dhe autorët e krimeve monstruoze ndaj shqiptarëve jetojnë të lirë, pa frikë nga drejtësia.
“Ky model i drejtësisë selektive, nuk sjell drejtësi universale, por narrativ që e zhvendos fajin nga pushtuesit te çlirimtarët”, theksoi Ahmeti.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila ishte organizatore e protestës, i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në protestë.
“Jemi pa fjalë. Sot folët ju, qytetarë të zakonshëm me zemër të jashtëzakonshme. Faleminderit për madhështinë tuaj! Faleminderit edhe mediave që e bënë zërin tonë të padëgjuar të dëgjohet kudo. Në emër të Këshillit Organizues, përjetësisht: faleminderit! Kur populli ngrihet, padrejtësia nuk kalon dot”, shkroi në Facebook OVL-UÇK.
Katër ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi – ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Qëndrimi i tyre pesëvjeçar në paraburgim është kritikuar gjerësisht në Kosovë si shkelje e të drejtave të njeriut.
Procesi gjyqësor nisi në prill të vitit 2023. Gjatë kësaj periudhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ka thirrur 125 dëshmitarë dhe ka paraqitur rreth 3,000 prova materiale. Më 16 prill 2025, ZPS-ja konfirmoi përfundimin e paraqitjes së provave të saj.
Tani është radha e mbrojtjes për të paraqitur provat e saj, por avokatët e të akuzuarve janë ankuar se gjykata ka caktuar kohë të pamjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes. Parashikohet që mbrojtja të nisë me paraqitjen e dëshmive në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit.
Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit u konfirmua në tetor të vitit 2020, por u bë publike një muaj më vonë. Ata akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e mbi 100 personave, ndalim të paligjshëm dhe tortura ndaj qindra viktimave.
Sipas ZPS-së, të katër ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” me qëllim të marrjes dhe ruajtjes së kontrollit në Kosovë përmes frikësimit, dhunës dhe eliminimit të kundërshtarëve politikë dhe etnikë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, të njohura si Gjykata Speciale, u themeluan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015. Edhe pse janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, ato operojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.
Krijimi i kësaj gjykate u votua nga 88 deputetë, përfshirë PDK-në, LDK-në, Listën Serbe dhe komunitetet joshumicë, ndërsa Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ishin kundër. Pesë deputetë të PDK-së votuan kundër dhe një abstenoi.
Gjykata heton krimet e pretenduara të UÇK-së kundër pakicave dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000. Financimi i saj bëhet kryesisht nga Bashkimi Evropian, me ndihma nga SHBA, Kanadaja, Norvegjia, Zvicra dhe Turqia, dhe për dy vitet e fundit ka pasur një buxhet prej rreth 100 milionë eurosh.





(r.m.)