Milan Radoiçiq lirohet nga arresti, gjykata ia ndalon shkuarjen në Kosovë

Beograd, 4 tetor 2023 – Udhëheqësi i grupit papamilitar serb që kreu sulmet terroriste në pjesën veriore të Kosovës më 24 shtator, Milan Radoiçiq, është liruar nga arresti.

Mediat në Serbi raportojnë se gjyqtari i procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd e ka refuzuar propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes.

“Gjyqtari për procedurën paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd, pasi e ka dëgjuar të pandehurin M.R. për arsyet e caktimit të paraburgimit, e refuzoi propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes”, ka njoftuar Gjykata e Lartë në Beograd.

Gjykata ka bërë të ditur se Radoiçiqit “i është caktuar masa e ndalimit të largimit nga territori i Serbisë pa miratimin e gjykatës dhe i është ndaluar të shkojë në territorin e Kosovës”.

Gjykata ka urdhëruar që Radoiçiqi të paraqitet në polici dy herë në muaj dhe ia ka konfiskuar përkohësisht pasaportën e Serbisë.

Sipas mediave serbe, Radoiçiqi është paralajmëruar se atij mund t’i shqiptohet masa e paraburgimit, nëse i shkel detyrimet e caktuara nga gjykata.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi të martën se Milan Radoiçiq ishte arrestuar dhe se atij i ishte caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë.

Milan Radoiçiq ka pranuar publikisht se ai ka marrë pjesë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe u plagos një tjetër. Ai ka thënë se të gjitha përgatitjet logjistike të grupit të sumuesve i ka bërë vetë.

Pas sulmeve dhe ikjes së pjesëtarëve të grupit në Serbi, në Banjskë e rrethinë u gjet një arsenal i madh armësh e mjetesh të ndryshme shpërthyese, si dhe pajisjesh ushtarake modern. Ekspertët thane se ky armatim ishte i mjaftueshëm për një njësi këmbësorie prej 80 deri 120 ushtarë të stërvitur mirë. 

Autoritetet në Kosovë thonë se sulmi u organizua dhe u mbështet nga Beogradi zyrtar, me qëllim të aneksimit të pjesës veriore të Kosovës. Policia e Kosovës publikoi pamje nga stërvitjet e grupit të Radoiçiqit në një qendër stërvitore të ushtrisë së Serbisë në zonën pranë kufirit me Kosovën. 

Në kohën që grupi paramilitar kreu sulmet në Banjskë, Serbia kishte grumbulluar forca të mëdha të ushtrisë në afërsi të kufirit me Serbinë. Beogradi urdhëroi tërheqjen e tyre pas paralajmërimeve serioze të SHBA-së.

(r.m.)