Milanoviq e anulon samitin në Bërdo-Brioni. Nuk do që Vuçiq të shkojë në Kroaci

Zagreb, 30 mars 2026 – Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, njëherësh bashkëkryesuesi i Procesit Bërdo-Brioni, e ka anuluar samitin e kësaj nisme që duhet të mbahej në muajin maj në Brioni.

Zyra e Presidentit të Republikës së Kroacisë ka njoftuar se Milanoviq e ka marrë këtë vendim për shkak të deklaratave dhe veprimeve politike të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai ka vlerësuar se në rrethana të tilla Vuçiq nuk mund të shkojë në Kroaci.

“Deklaratat politike dhe veprimet e ditëve dhe javëve fundit të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq janë në kundërshtim të plotë me qëllimet e Procesit Bërdo-Brioni. Ato i dëmtojnë raportet ndërshtetërore dhe rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Presidenti Milanoviq është i mendimit se në rrethanat e tilla nuk ekzistojnë kushtet dhe nuk është e mundshme ardhja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Kroaci”, thuhet në njoftimin e zyrës së Milanoviqit.

Në njoftim thuhet se takimi i ardhshëm i krerëve të shteteve të Procesit Bërdo-Brioni do të mbahet kur të plotësohen kushtet dhe në konsultime midis Milanoviqit dhe Presidentes së Sllovenisë Natasha Pirc-Musar, si bashkëkryesues të këtij procesi.

Kroacia dhe Sllovenia, si anëtarë të Bashkimit Evropian, e kanë iniciuar Procesin Bërdo-Brioni me qëllim përmirësimin e bashkëpunimit midis vendeve të Evropës Juglindore dhe përshpejtimin e procesit të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe mediet në Serbi që i kontrollon ai kohët e fundit kanë nisur një fushatë të ashpër kundër Kroacisë. Ai e akuzon Zagrebin për, siç thotë, mbështetjen e përpjekjeve për rrëzimin e tij nga pushteti në Serbi. Po ashtu, e akuzon Kroacinë se, bashkë me Shqipërinë dhe me Kosovën, po planifikon ta sulmojë Serbinë.

Aleksandar Vuçiq është i padëshirueshëm në Kroaci prej shumë vitesh. Atij nuk i është dhënë leje as për vizitë private në Kroaci.

Vuçiq ka qëndruar në Kroaci vetëm një herë. Ai ka marrë pjesë në një samit për ndihmë Ukrainës që është mbajtur në Dubrovnik.    

Samiti i fundit Bërdo-Brioni është mbajtur në vjeshtë të vitit të kaluar në Tiranë, ku kanë marrë pjesë presidentët e të gjitha vendeve të rajonit, përfshirë edhe Aleksandar Vuçiqin.

(r.m.)