Milatoviq kërkon drejtësi për shqiptarët e vrarë në Mal të Zi më 1999

Podgoricë, 18 prill 2024 – Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka kërkuar drejtësi për vrasjen e gjashtë shqiptarëve të Kosovës, në vitin 1999. Ai ka bërë thirrje edhe për ngritjen e një memoriali në nderim të viktimave dhe për përcjelljen e mesazhi për brezat e ardhshëm.

Milatoviq e ka bërë këtë në 25 vjetorin e vrasjes së gjashtë shqiptarëve të Kosovës, përfshirë dy fëmijë, në fshatin Kallugjerski Llaz në kufi me Kosovën, nga pjesëtarë të ushtrisë Jugosllave.

Në një postim në platformën X, Milatoviq e ka cilësuar si “kapitull të errët të historisë” së Malit të Zi vrasjen e shqiptarëve që po kërkonin strehim në këtë vend, për të shpëtuar nga forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe që po kryenin krime montruoze ndaj shqiptarëve në Kosovë

“Krimi në Kallugjerski Llaz, i cili është kryer sot 25 vjet më parë, paraqet një kapitull të errët të historisë sonë, të shenjuar me humbjen e jetëve të pafajshme, të atyre që kërkuan strehim në vendin tonë.

Viktimat meritojnë drejtësi prandaj u bëj thirrje organeve kompetente që të mos heqin dorë nga ndriçimi i plotë i të vërtetës dhe i përcaktimit të përgjegjësisë së autorëve.

Gjithashtu, bëj thirrje për ngritjen e një memoriali dinjitoz që do të nderojë përgjithmonë viktimat, por edhe do të shërbejë si vend i mësimit për brezat e ardhshëm”, ka shkruar Milatoviq.

Më 18 prill 1999, në fshatin Kallugjerski Llaz, afër kufirit me Kosovën, pjesëtarët e Ushtrisë Jugosllave i vranë gjashtë civilë shqiptarë të Kosovës, përfshirë dy fëmijë, dhe plagosi pesë të tjerë.  

Organizata joqeveritare “Aksioni për të Drejtat e Njeriut” i ka kërkuar Prokurorisë Speciale të Malit të Zi të riaktualizojë rastin dhe përgjegjësit për këtë krim montruoz të nxirren para drejtësisë.

Kjo organizatë ka theksuar se dënimi i krimeve të luftës është i rëndësishëm jo vetëm për viktimat dhe familjet e tyre, por edhe për të gjithë shoqërinë, pasi kjo do të ndihmonte në parandalimin e përsëritjes së krimeve të tilla.

(r.m.)

Comment

*