Millosh Antoviq dënohet me 4 vjet e 11 muaj burgim për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan

Prishtinë, 4 gusht 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar marrëveshjen për pranim fajësie mes të akuzuarit Millosh Antoviq dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe e ka dënuar me dënim unik prej 4 vjet e 11 muaj burgim dhe me 20 mijë euro gjobë të akuzuarin Millosh Antoviq për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në vitin 2023 në Zveçan.

Antoviq u dënua me 2 vjet burgim për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe me 3 vjet burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.

Ai u dënua edhe me 6 muaj burgim për veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, i cili iu zëvendësua me 18 mijë euro gjobë, kurse për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” u dënua me 2 mijë euro gjobë.

Millosh Antoviq është i akuzuari i dytë që dënohet muajt e fundit për dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës në Zveçan më 29 maj. Para pak ditësh Nenad Orlloviqin u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 15 muaj burgim  për përfshirje në sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale, të cilat u bojkotuan nga serbët.

Në protestën e dhunshme të serbëve në Zveçan, ku ishin përdorur mjete të forta, mjete piroteknike si edhe armë zjarri, kishin pësuar lëndime 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej të cilëve kanë pësuar edhe lëndime të rënda dhe kanë përfunduar me invaliditet.

Kosova e ka akuzuar Serbinë për nxitjen dhe mbështetjen e “grupeve kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që kryen sulmin ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës. Por, Beogradi zyrtar e ka hedhur poshtë këtë akuzë, ndërsa Qeverinë e Kosovës e ka akuzuar se po përpiqej t’i shtynte serbët në Kosovë “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.

NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës ndaj pjesëtarëve të KFOR-it të mbahen përgjegjës për sulmin.

(r.m.)