Millosheviqi – krimineli më i madh serb, pasardhësit e tij – tradhtarët më të mëdhenj të serbëve

Milojko Pantiq

Për hir të të gjithë brezave të ardhshëm, ne serbët, ateistë dhe ortodoksë, si edhe ata të të gjitha besimeve tjera, të cilëve KOS (Kisha Ortodokse Serbe) ua mohon të drejtën të ndjehen serbë, do të duhej të sqaronim njëherë e përgjithmonë se kush është krimineli më i madh politik në historinë tonë. Për mendimin tim, si serb autentik “nga fundi i kazanit”, siç thuhet, nuk ka asnjë dilemë. Ky është Sllobodan Millosheviqi.

Ai i shkatërroi dy shtete në të cilat jetonin serbët, kurse pasardhësit e tij po e shkatërrojnë gjithë kombin serb. Slogani “Nëse ne serbët nuk dimë të punojmë, dimë të luftojmë”, e shprehur në Gazimestan afër Prishtinës në shënimin e 600 vjetorit të Betejës së Kosovës, i mahniti më shumë se 90% të serbëve. “Sloba sloboda” (Parulla ‘Sllobo – liri’ – për Sllobodan Milloshviqin) u bë lideri i ri serb.

Të gjithë mendonin se Millosheviqi po e përmbyste komunizmin. Kjo ishte lajthitja e parë e madhe për të. Në fakt, në muajin nëntor të atij viti, 1989, ra Muri i Berlinit, simboli i ndarjes së botës në komunizëm dhe kapitalizëm. Në muajin dhjetor, u vra diktatori komunist rumun Nikolae Çaushesku, kurse Mikhail Gorbachevi, presidenti i fundit i vendit të parë komunist, Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), e ndërmori fushatën e Perestrojkës apo rimëkëmbjes së vendit. Të gjitha ish-republikat jugosllave, përveç Serbisë, e ndoqën të njëjtën rrugë, duke e pranuar sistemin shumëpartiak dhe duke organizuar zgjedhjet për parlamentet republikane.

Vetëm Millosheviqi në vitin 1990 e lansoi sloganin se populli serb e do Partinë e tij Komuniste. Zgjedhjet shumëpartiake në Serbi u mbajtën tek në fund të vitit, kur kreu i Shërbimit të Sigurimit Shtetëror, Jovica Stanishiq, nga Lidhja e Komunistëve dhe nga Lidhja Socialiste e krijoi SPS-in (Partinë Socialiste të Serbisë) dhe i themeloi disa parti të ashtuquajtura opozitare.

Kështu, në zgjedhjet shumëpartiake, “Sloba sloboda” e përforcoi epitetin e Liderit të serb. Për këtë e ndihmoi edhe fakti se në të gjitha republikat fituan partitë me orientim nacionalist.

Kryeministri i fundit i Qeverisë së RSFJ-së (Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë), Ante Markoviq, iu lut kot nacionalistëve, në radhë të parë serbëve dhe kroatëve, që të mos grindeshin, në mënyrë që Europa dhe Amerika të na i falnin borxhet dhe të jepnin miliarda dollarë pa kthim për të ashtuquajturin tranzicion. Markoviqi u rrëzua, por mbeti deklarata e tij: “Iluzionet tona do t’i paguajmë me varfëri, me helmim të shpirtit dhe me pozitën e periferisë së largët të Evropës”.

Më 9 mars 1991, kur në Beograd ndodhi kryengritja antikomuniste, Millosheviqi i nxori në rrugë tanket dhe deklaroi: “Komunistët erdhën në pushtet me gjak, me gjak edhe do ta mbrojnë atë”. Menjëherë pas kësaj, ai filloi gjoja t’i mbrojë serbët, të cilët, sipas udhëzimeve të tij, e nisën të ashtuquajturin Balvan Revolucija (Revolucioni i Trungjeve) në Krahinën e Kninit (në Kroaci).

Kishte edhe nga ata që paralajmëronin se “Knini mbrohet në Beograd”, por kot. “Sloba sloboda” tashmë kishte bërë marrëveshje me liderin e nacionalistëve kroatë, Tuxhmanin (Presidentin e Kroacisë, Franjo Tuxhman) për ndarjen e Bosnjës dhe për shpërbërjen e Jugosllavisë.

Për ata që në atë kohë nuk kishin lindur ende, kjo është një histori e shkurtër e slobizmit.

– Artileria e Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë, në të cilën mbetën vetëm ushtarët serbë dhe malazezë, granatoi Dubrovnikun, Zarën dhe Zagrebin (në Kroaci). Ndëkaq ushtria kroate e shkatërroi Mostarin (në Bosnjë e Hercegovinë).

– Gjeneralët e verbuar nga ideologjia komuniste, si Kadijeviqi dhe Mlladiqi, e rrafshuan me tokë Vukovarin, ndërsa Sarajevën e mbajtën në rrethim me vite të tëra dhe e bombarduan pa ndërprerë.

– Komuniteti ndërkombëtar vendosi sanksione ndaj Jugosllavisë së mbetur, pra Serbisë dhe Malit të Zi. Duket se kjo vetëmsa e tërboi më shumë “Kasapin e Ballkanit”, siç e quanin Millosheviqin mediat perëndimore. Në Kroaci dhe në Bosnjë ai dërgoi njësitë paraushtarake të udhëhequra nga kriminelët më të mëdhenj, siç ishte Arkani. Ata plaçkitin dhe vritnin popullatën civile. Lufta katërvjeçare në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë përfundoi me krimin më të madh kundër civilëve në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, me gjenocidin në Srebrenicë.

– Inflacioni dhe bankat piramidale ua morën qytetarëve rezervat e fundit valutore. Jetuan nga kontrabanda dhe nga furnizimet në tregjet e vjetërsive.

– Vrasja monstruoze e Ivan Stamboliqit, njeriut që e futi atë (Millosheviqin) në politikë, është dëshmia  më e mirë sa çfarë soji i zuzarit ishte Millosheviqi.

Ndërkohë, gruaja e tij, Mira Markoviq, me ndihmën e Shërbimit (të Sigurimit), e themeloi një parti të re puro komuniste, me emrin E Majta e Bashkuar Jugosllave (Jugoslovenska Udružena Levica  -JUL). Kjo ishte pararendësja e SNS-së së sotme (Srpska Napredna Stranka – SNS që udhëhiqet nga presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq), partisë pa asnjë program, me një bjeiktiv të vetëm – mbrojtjen e qeverisë me çdo kusht.

Njeriu që asokohe e kishte organizuar vizitën e saj (Mira Markoviqit) në Indi më ka treguar se “Baba Jula” (gjyshe Jula) e kishte bindur atë se komunistët do të fitonin përsëri në Rusi dhe do ta rimëkëmbnin BRSS-në, që domethënë se sllogani “Amerika dhe Anglia do të jenë vende proletare” nuk ishte i vdekur. Ajo nuk kishte arritur ta bindte mikun tim, por bashkëshorti i saj, Millosheviqi, u nënshtrua para hirit të gruas “me lule në flokë” dhe nën ndikimin e saj vendosi që Serbinë e Malin e Zi t’i shkëpuste nga Perëndimi dhe t’i orientonte kah Rusia.

Pas Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, e cila u dha fund luftërave në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë, ai e filloi aventurën e fundit luftarake, dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova, për t’i vendosur atje serbët e dëbuar nga Kroacia.

Ai dhe Tuxhmani e shpallën këtë si “zhvendosje humanitare”. Pasuan negociatat në Rambuje, ku bashkësia ndërkombëtare ofroi dëgimin e trupave të OKB-së për të rivendosur rendin në Kosovë, bashkë me ushtrinë dhe policinë serbe.

Ai e refuzoi këtë ofertë dhe vazhdoi dëbimin dhe vrasjen e shqiptarëve. Dhe kur negociatori amerikan Holbrook (Richard Holbrook) i tha se RF e Jugosllavisë do të bombardohej nëse nuk do t’i jepte fund luftës në Kosovë, ai u përgjigj: “Bombardoni, Serbia nuk do të përkulet”.

Dhe sot ithtarët e këtij krimineli që i shkatërroi dy shtete dhe Serbinë dhe mori miliarda e miliarda dollarë e marka tonat duan t’i ngrisin përmendore. Gruaja e tij i shfrytëzoi ato para për të jetuar në Moskë si mbretëreshë, ndërsa djali i tyre, Marko Millosheviq, edhe sot e kësaj dite e bën playboy-n në Rusi.

Këto ditë në rrjetet sociale u publikua një fotografi e godinës së bombarduar të Shtabit të Përgjithshëm (të Ushtrisë së Serbisë) në Beograd, shoqëruar me komentin: “Monumenti i miqësisë amerikano-serbe”. Jo, të dashur serbë të painformuar, miqësia amerikano-serbe daton prej vitit 1881, kur ministri i jashtëm i Mbretërisë së Serbisë, Çedomil Mijatoviq, dhe përfaqësuesi diplomatik amerikan, Eugene Skyler, e kanë nënshkruar marrëveshjen tregtare, të parën në Ballkan, e cila ishte në fuqi edhe gjatë Mbretërisë së SKS-së (Serbisë, Kroacisë dhe Sllovenisë) Mbretërisë së Jugosllavisë, DFJ (Demokratska Federativna Jugoslavia), FNRJ (Federativna Narodna Republika Jugoslavija), SFRJ (Savezna Federativna Republika Jugoslavije) dhe RFJ (Federativna Republika Jugoslavije), deri në frazën idiotike dhe inatçore të Millosheviqit: “Bombardoni”.

Prandaj Sllobodan Millosheviqi është krimineli më i madh politik, ndërsa pasardhësit e tij, të cilët sot propagandojnë njëfarë vëllazërimi me Rusinë dhe antiamerikanizmin, janë tradhtarët më të mëdhenj të popullit serb në historinë politike.

Kjo histori e vërtetë në fakt është tetori im “i Gjashtë” i lindur njëzet e dy vjet pas “atij” të Pestë.

(Autori është gazetar. Ky shkrim është publikuar në gazetën beogradase “Danas”. Titulli është i përkthyesit)