Jerusalem, 28 mars 2025 – Autoritetet izraelite i kanë kërkuar presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, të largohet nga konferenca për antisemitizmin në Jerusalem, pasi ndaj tij është lëshuar një urdhër ndërkombëtar, njoftuan sot mediat izraelite.
Gazeta “Israel Hayom” shkruan se autoritetet izraelite “ia kanë bërë të qartë Dodikut se ai nuk ishte i mirëpritur në këtë ngjarje, gjë që e ka detyruar atë të largohet nga vendi”.
“Gjykata në Bosnjë e Hercegovinë ka lëshuar një urdhër arresti për Milorad Dodikun, liderin e pakicës serbe në këtë vend, për aktivitete separatiste. Dodiku aktualisht është në një konferencë për antisemitizmin në Jerusalem, organizuar nga ministri izraelit për diasporën dhe antisemitizmin Amichai Chikli”, shkruan “Israel Hayom”.
Gazeta kujton se Milorad Dodik është dënuar me një vit burg dhe me gjashtë vjet ndalim për të mbajtur postin e presidentit të Republikës Srpska.
“Dodik, politikan prorus dhe aleat i presidentit rus Vladimir Putin, i cili për një kohë të gjatë angazhohet për shkëputje nga Bosnja e Hercegovina i, e shtyri miratimin e një ligj që gjyqësorit dhe policisë shtetërore të Bosnjës ia ndalon veprimin në këtë entitet me shumicë serbe [Republika Srpska],” shkruan gazeta izraelite, duke kujtuar se ligji u pezullua përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Reporterja e gazetës “Israel Hayom”, Shirit Avitan Cohen, e cila e ka ndjekur konferencën, e ka cilësuar si “dramë të vogël” çastin kur Dodik është njoftuar se duhet ta lëshojë konferencë.
“Mini-dramë në konferencën kundër antisemitizmit në Jerusalem. Pas publikimit të lajmit për urdhër-arrestin ndaj tij, duket se zyrtarët izraelitë, të pranishëm në këtë ngjarje, ia bënë të qartë Dodikut se nuk ishte i mirëpritur, kështuqë ai dhe shoqëruesit e tij u larguan nga vendi në çastet e fundit”, ka thënë Avitan Cohen.
Gazeta “The Times of Israel” shkruan se Izraeli, si nënshkrues i Konventës Evropian për Ekstradimin është i obliguar të ekstradojë shtetasit e vendeve tjera që janë në kërkim ndërkombëtar.
Milorad Dodik është dënuar me një vit burgim dhe me ndalim gjashtëvjeçr të ushtrimit të funksioneve publike, për shkak të akteve kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Bosnjës e Hercegovinës.
Gjykata shtetërore e Bosnjës e Hercegovinës njoftoi se përmes Interpolit ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar për Dododikun dhe për kryetarin e Kuvendit të Republikës Srpska, Nenad Stevandiq.
(r.m.)