Ministri Faton Peci intervistohet në prokurori për rastin e dhënies me qira të një prone publike

Prishtinë, 27 maj 2025 – Prokuroria Speciale e Kosovës njoftyoi se ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, është intervistuar të martën në kuadër të hetimeve lidhur me dhënien me qira të pronës për fabrikën e përpunimit të mbetjeve shtazore.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta, ka thënë se Peci është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Avokati Artan Çerkini ka njoftuar se lidhur me këtë rast është intervistuar edhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha.

Të martën, me autorizim të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka kryer bastisje në katër lokacione, lidhur me këtë rast.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Admir Shala, ka treguar se bastisjet janë kryer në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, në Agjencinë e Veterinarisë dhe në lokacionin e kompanisë përfituese të ankandit.

“Prokuroria Speciale ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e produkteve shtazore. Hetimi është duke u zhvilluar lidhur me dyshimet e dhënies me qira të kësaj fabrike. Jemi në fazën e hetimit, jemi duke zhvilluar bastisjen dhe kontrollet në bazë të urdhrit të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale. Po ashtu, me autorizimin tonë, policia, së bashku me ne, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme me qëllim të sigurimit të informacioneve të nevojshme dhe drejt zbardhjes zbardhjes të rastit konkret”, ka thënë Shala.

Më herët gjatë ditës, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka thënë se, edhe në këtë rast, do të bashkëpunojë ngushtë me organet e rendit e të drejtësisë.

“Që nga dita e parë jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe të drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyre, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në një njoftim të kësaj ministrie.

Veprimet e Prokurorisë Speciale dhe të Policisë së Kosovës lidhur me dhënien me qira të pronës për impiantin për përpunimin e mbetjeve shtazore janë ndërmarrë pas akuzave publike të Partisë Demokratike të Kosovës. Sipas kësaj partie, ministri në detyrë, Faton Peci, ia ka dhënë me qira pronën për impiantin e fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore për 20 vjet një kompanie, pa ankand publik.

PDK-ja tha se Ministria e Bujqësisë e ka shkelur Ligjin për pronën publike, sipas të cilit pronat publike jepen me qira vetëm përmes ankandit publik dhe për jo më shumë se 15 vjet, përveç në rastet kur merr vendim Kuvendi i Kosovës.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka cilësuar si “inskenim të gërditshëm” veprimet e Prokurorisë Speciale dhe udhëheqësit të saj, Blerim Isufaj, ndaj ministrit Peci. Ajo ka thënë se kjo është “hakmarrje e shëmtuar ndaj betejës së suksesshme të Fatonit kundër korrupsionit”.

“Inskenim i gërditshëm ky aksioni i sotëm i Blerim Isufajt kundër ministrit Faton Peci, ministrit më shembullor të këtij mandati. Hakmarrje e shëmtuar ndaj betejës së suksesshme të Fatonit kundër korrupsionit dhe guximit të tij për t’u ballafaquar me secilën shkelje të ligjit, pa marrë parasysh se sa të rrezikshëm janë shkelësit dhe sa shumë shokë e ortakë kanë në Prokurorinë Speciale”, ka thënë Gërvalla.

“Kur pikërisht ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin ligjor dhe qytetarët e Republikës nga krimi i keqpërdorin organet e drejtësisë për hakmarrje dhe për të njollosur figurat e suksesshme dhe të pastra politike, atëherë asgjë më nuk duhet të na habisë. Por, kthim prapa nuk ka. Deri në reformimin e plotë edhe të sistemit të drejtësisë”, ka theksuar ajo.

Faton Peci ka qenë shënjestër e akuzave të opozitës dhe të disa medieve, në muajt e fundit të mandatit të tij si ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe, sidomos, gjatë fushatës për gjedhjet parlamentare të 9 shkurtit e pas tyre. Në këto zgjedhje ai ka dalë deputeti i tretë më i votuar nga lista e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

(r.m.)

Comment

*