Ministri grek: Shqipëria ta harrojë kursin europian, nëse e pengon betimin e Belerit

Athinë, 21 gusht 2023 – Ministri i Punës i Greqisë, Adonis Georgiadis, i dërgoi një paralajmërim të fortë Shqipërisë, për shkak të çështjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

“Mesazhi për Shqipërinë sot është i qartë. Nëse vazhdojnë të pengojnë betimin e kryetarit të ri të bashkisë së Himarë,s Fredi Beleri, do të duhet të harrojnë kursin e tyre evropian dhe paratë nga Evropa”.

“Shqipëria duhet ta harrojë kursin europian, nëse pengon betimin e Belerit”, ka deklaruar ai, në një intervistë për ERT-në.

Georgiadis paralajmëroi se Greqia do të bllokojë çdo fond europian për Shqipërinë, për sa kohë të zgjasë çështja Beleri.

“Shqipëria do të harrojë paratë nga Europa nëse Fredi Beleri nuk betohet si kryebashkiaku i Himarës”, theksoi ai.

Gjithashtu, paralajmëroi se nëse zgjedhjet në Himarë përsëriten ose nëse dikush tjetër zgjidhet kryetar  bashkie “do të jetë faktor i keq në marrëdhëniet me Shqipërinë për një periudhë të pacaktuar”.

“Shqipëria do të paguajë një çmim shumë të lartë nëse vazhdon të shkelë të drejtat e grekëve të Vorio-Epirit”, shtoi ai.

Georgiadis tha se një tjetër “mesazh i qartë” për Shqipërinë është edhe mungesa e ftesës për pjesëmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet të hënë në mbrëmje në Athinë, në organizim të kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

“Vendimi i Kyriakos Mitsotakis për të ftuar të gjithë të tjerët përveç Ramës dhe që të gjithë të tjerët do të jenë përveç Ramës, mendoj se tregon se çështja e Fredi Belerit nuk po kalon aspak pa pengesa në qeverinë greke”, tha ministri Georgiadis.

“Mesazhi për Shqipërinë sot është i qartë. Nëse vazhdojnë të pengojnë betimin e kryetarit të ri të bashkisë së Himarë,s Fredi Beleri, do të duhet të harrojnë kursin e tyre evropian dhe paratë nga Evropa”, theksoi ai në një rezyme për çështjen Beleri.

(r.m.)