Ministri i Jashtëm i Spanjës: Nuk mund të bëjmë sikur Kosova nuk ekziston, por nuk e njohim sovranitetin e saj

Madrid, 15 janar 2024 – Ministri i Punëve të Jashtme të Spanjës, Jose Manuel Albares, përsëriti se njohja e pasaportës së Kosovës nuk nënkupton edhe njohjen e pavarësisë së saj.

Në një intervistë për për median spanjolle El Periodico De Espana, Albares tha se me hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën edhe Spanja duhet të përshtatet me shtetet tjera që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Edhe Spanja, ashtu si pjesa tjetër e shteteve që nuk e njohin (shtetin e Kosovës) duhet të përshtatet. Prandaj, filluam të pranojmë pasaportat kosovare. Edhe një herë them se kjo nuk nënkupton njohje të Kosovës apo sovranitetit të saj. Ne jemi pesë shtete të Bashkimit Evropian që nuk e njohim Kosovën dhe të pestat i pranojmë pasaportat e tyre”, tha ai.

Albares i hodhi poshtë pretendimet e partive opozitare në Spanjë se njohja e pasaportës së Kosovës është një hap afrimi mes dy shteteve. Por, ai pranoi se pavarësia e Kosovës është realitet që nuk mund të mohohet dhe shtoi se Kosova merr pjesë në samitet e organizuara nga Bashkimi Evropian.

“Nuk mund të pretendojmë se nuk ekziston. Por, kjo nuk do të thotë se ne e njohim sovranitetin e saj”, tha ai.

Albares foli edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Ai tha se Spanja nuk do të jetë kurrë pengesë për dialogun dhe shtoi se Spanja nuk do të jetë as pengesë për “afrimin mes Prishtinës dhe Bashkimit Evropian”.

Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Por këto shtete i njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet shtetërore të Kosovës.

(r.m.)