Teheran, 8 shkurt 2026 – Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se Irani nuk do të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, edhe nëse i “imponohet lufta”.
“Irani ka paguar një çmim shumë të lartë për programin e tij bërthamor paqësor dhe për pasurimin e uraniumit”, tha Abbas Araghchi.
“Pse këmbëngulim në programin e pasurimit (të uraniumit) dhe refuzojmë ta braktisim atë edhe nëse na imponohet lufta? Sepse askush nuk ka të drejtë të diktojë veprimet tona”, tha diplomati iranian.
Ai tha se vendosja ushtarake amerikane në Gjirin Persik nuk e tremb Iranin.
“Vendosja e tyre ushtarake në rajon nuk na tremb”, tha Aragjchi.
“Ne jemi popull i diplomacisë, jemi gjithashtu popull i luftës, por kjo nuk do të thotë që kërkojmë luftë”, theksoi ai.
Araghchi i bëri këto deklarata në një forum në Teheran, një ditë pasi i dërguari i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, e vizitoi aeroplanmbajtësen amerikane “USS Abraham Lincoln” në Detin Arabik.
Programi bërthamor i Iranit është objekt i mosmarrëveshjeve të këtij vendi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy ditë më parë delegacionet e dy vendeve zhvilluan bisedime në Oman. Të premten, delegacioni Iranian i udhëheqëur nga Aragjchi pati kontakte në Oman me delegacionin amerikan të udhëhequr nga i dërguari i Presidentit Trump, Steve Witkoff.
Bisedimet janë ndërprerë, por sipas Aragjchit, ato pritet të “rifillojnë së shpejti”.
(r.m.)