Ministri i jashtëm zviceran: E mbështesim Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian

Prishtinë, 5 nëntor 2026 – Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, i ka cilësuar të shkëlqyera marrëdhëniet mes vendit të tij dhe Kosovës. Ai ka thënë se lidhjet mes dy vendeve janë forcuar nga qytetarët e Kosovës që punojnë e jetojnë në Zvicër.

“Zvicra dhe Kosova kanë një histori të gjatë të marrëdhënieve intensive dhe të shkëlqyera. Ne ishim ndër vendet e para që e njohëm pavarësinë e Kosovës, që në orët e para, siç mund të thuhet, dhe lidhjet tona janë bërë kaq të forta edhe për shkak se kemi qenë shumë të hapur për t’i hapur kufijtë për shumë njerëz nga Kosova, të cilët kanë ardhur në Zvicër për të punuar dhe për të jetuar me familjet e tyre, të cilët ne i njohim si diasporë kosovare”, ka deklaruar Cassis.

Ai ka thënë se në Zvicër jetojnë rreth 500 mijë persona me origjinë nga Kosova, shifër kjo që përbën afër 10 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë së këtij vendi.

“Bëhet fjalë për rreth 500 mijë njerëz, gra, burra dhe fëmijë, që jetojnë në Zvicër dhe që kanë ose pasaportë kosovare ose të paktën vijnë nga kjo trevë, ndoshta edhe para se Kosova të njihej si shtet. Kjo përbën pothuajse 10 për qind të të gjithë popullsisë, gjë që natyrshëm krijon një lidhje njerëzore jashtëzakonisht të fortë. Përveç kësaj, ata janë heronj të futbollit në vendin tonë dhe besoj se e kuptoni se çfarë dua të them me këtë”, ka thënë ai.

Ministri i Jashtëm zviceran ka thënë se Zvicra është e pranishme në Kosovë që nga viti 1998, kur kishte filluar me ndihma humanitare, ndërsa më pas është shndërruar në partner të fortë të Kosovës.

Më pas Ignazio Cassis u ndal te programi i mbështetjes së reformave për integrimin evropian të Kosovës, me vlerë afër 20 milionë euro.

“Ky program mbështet reformat në Kosovë dhe rrugën e saj drejt integrimit evropian. Kosova ka shënuar përparime të dukshme. Kjo do të na mundësojë që nga viti 2029 ta kalojmë bashkëpunimin tonë në një fazë të re, në një fazë të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, ku investimet, tregtia dhe krijimi i vendeve të punës do të kenë një rol të rëndësishëm dhe qendror”, ka theksuar Cassis.

Ai ka folur edhe për format tjera të bashkëpunimit mes Zvicrës e Kosovës dhe për shkëmbimet ekonomike ndërmjet dy vendeve, ndërsa e ka vlerësuar edhe Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me EFTA-n.

“Krahas kësaj, ekzistojnë edhe një sërë instrumentesh që e mundësojnë këtë bashkëpunim, siç është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me EFTA-n, e cila ka hyrë në fuqi nga 1 tetori i këtij viti dhe që ka një rol të veçantë sidomos për shërbimet, pasi shkëmbimi tregtar në fushën e shërbimeve ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës është veçanërisht intensiv. Mendoni sidomos në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (ICT), e cila është një industri e rëndësishme”, ka deklaruar Cassis.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, e ka vlerësuar mbështetjen e Zvicrës për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane, veçanërisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“E çmojmë mbështetjen konstruktive të Zvicrës për rrugën evropiane të Kosovës, përfshirë përkrahjen për anëtarësimin tonë në Këshillin e Evropës”, ka thënë ai.

“Presim mbështetjen e Zvicrës në fazat e mëtejme të anëtarësimit tonë të plotë në Këshillin e Evropës”, ka deklaruar Konjufca.

Konjufca i ka vlerësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke theksuar mundësitë e forcimit të marrëdhënieve dhe zgjerimit tëe mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ai e ka vlerësuar gjithashtu kontributin shumëvjeçar të Zvicrës për paqen dhe sigurinë në Kosovë, përmes kontingjentit të Swisscoy në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ministri i Punëve të Jashtme të Zvirës, Ignazio Cassis, bashkë me ministrin e Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca, morën pjesë në ceremoninë e përurimit të objektit të ri të Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë.

(r.m.)

Comment

*