Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë: Serbia po e kërcënon rajonin. Shqipëria dhe Kosova janë aleatët tanë

Zarë, 2 tetor 2026 – Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, ka thënë se Serbia po armatoset me arsenal ofensiv që përbën kërcënim për vendet fqinje, por Kroacia, bashkë me aleatët e saj, si Kosova, Shqipëria e të tjerët, do të vendosë një balancë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

“Serbia ka blerë raketa supersonike me rreze veprimi deri në 400 kilometra nga prodhues kinezë, Presidenti i Serbisë ka thënë se ato [raketa] mund ta godasin secilin kryeqytet në rajon, madje edhe duke e emërtuar Zegrebçanka. Por, ne ke mi kundërpërgjigje”, ka thënë Anushiq në konferencën “EU 4 Defence Readiness – Road Map to Future“ në Zarë.

“Ne kemi sistem raketor me rreze të gjatë veprimi, më të gjatë se ai që e kanë ata. Ne nuk duam që diskutimi të shkojë drejt garës se kush i ka raketat me rreze më të gjatë veprimi, por Kroacia ka përgjigje ndaj asaj që kanë ata dhe, çka është shumë e rëndësishme, shumë shpejt do të krijojmë balance të forcave të armatosura në këto hapësira, në Evropën Juglindore”, ka thënë ministri kroat, transmeton portali kroat “Vijesti”.

Anushiq ka thënë se Kroacia është “zë i arsyes” në rajon, por është e gatshme të kundërpërgjigjet në rast të kërcënimeve nga Serbia.

“Dikush duhet të paraqesë një kundërbalancë ndaj fqinjit që po armatoset dhe që po kërcënon me hakmarrje për atë që ka ndodhur në vitet ’90, që po e kërcënon territorin e Republikës së Kosovës, duke thënë se ajo është pjesë e Serbisë, që ende kërcënon pjesë të Kroacisë me deklaratat se kufiri me Kroacinë është në linjën Karllovac-Karllobag-Virovitica. Kroacia duhet të jetë e vetëdijshme se nuk po jetojmë në një botë ideale dhe nuk i kemi fqinjët ideal, prandaj duhet të kujdesemi për të mbrojtur para së gjithash fëmijët tanë, të cilëve nuk do t’u duhet të veshin përsë uniformat dhe të luftojnë. Ajo që po bëjmë është pikërisht kjo: të parandalojmë atë që nuk mundëm ta parandalonim në vitin 1990”, ka thënë ai Anushiq.

 “Por tash mundemi. Sot askush nuk mund ta shohë Kroacinë si një objektiv të lehtë”, ka theksuar ai.

Anushiq ka thënë se Kroacia do të vazhdojë të bashkëpunojë me aleatët e saj për ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajon. Në këtë konekst e ka veçuar aleancën me Kosovën dhe me Shqipërinë.

“Për këtë arsye duhet të kemi bashkëpunim me aleatët tanë, me Republikën e Kosovës, me Shqipërinë, me fqinjët tanë që janë në NATO dhe me ata që nuk janë por kanë një politikë paqedashëse, qëllimmirë, politikë të stabilitetit, paqes dhe bashkëpunimit”, ka thënë ai.

Anushiq e ka përshëndetur posaçërisht ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedoncin, basjkëpunimin me të cilin e ka cilësuar “të shkëlqyeshëm”.

Ndërkaq Maqedonci ka thënë se “bashkëpunimi midis Kroacisë e Kosovës në fushë të mbrojtjes është në pikën kulmore”.

(r.m.)

Comment

*