Zagreb / Tiranë, 15 prill 2026 – Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, Ivan Anushiq, i është përgjigjur presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka përsëritur edhe një herë se aleanca ushtarake Kroaci-Kosovë-Shqipëri përbën kërcënim për Serbinë.
Anushiq ka përsëritur se koha e ndërhyrjes së kujtdo në Kroaci është e pakthyeshme.
“Në përgjigje të pyetjeve të përsëritura lidhur me reagimin e Serbisë, përgjigja është e njëjtë – ka kaluar koha kur dikush i ka diktuar Kroacisë, sot shtet sovran dhe anëtare e NATO-s dhe BE-së, se çka të bëjë dhe si ta bëjë politikën e saj. Kjo s’do të ndodhë kurrë më”, ka shkruar Anushiq në platformën X.
Ministri kroat i Mbrojtjes e ka bërë këtë deklaratë pas takimit me homologun e tij shqiptar, Ermal Nufi, të mërkurën në Zagreb.
Anushiq ka thënë se takimi i sotëm është “konfirmim i miqësisë së fortë dhe aleancës ndërmjet dy shteteve”. Ai ka theksuar se Kroacia dhe Shqipëria kanë qëllim paqen, sigurinë e stabilitetin në Evropën lindore dhe se bashkëpunimi në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të këtyre bazohet në këto parime.
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë bëri të ditur se gjatë takimit është konfirmuar gatishmëria e të dy palëve për zhvillimin e përbashkët të kapaciteteve dhe të industrisë ushtarake, sikur parashihet në deklaratën e përbashkët të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një takimi me drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ushtrisë së Serbisë, ku ka marrë pjesë edhe një delegacion i entitetit serb të Bosnjës e Hercegovinës, Republikës Serbe, ka paralajmëruar blerje të reja armatimi për ushtrinë.
Ai ka përsëritur se Serbia rrezikohet nga aleanca ushtarake në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Vitin e kaluar, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova nënshkruan një Deklaratë për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, e cila u tha se synon forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore, mbështetjen e rrugës euroatlantike dhe thellimin e bashkëpunimit mes tre vendeve mike. Përfaqësues të të tri shteteve kanë përgënjeshtruar se aleanca kërcënon Serbinë, por përkundër kësaj, Vuçiqi vazhdimisht e shpreh pretendimin.
(r.m.)