Tiranë, 22 korrik 2024 – Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, u pyet të hënën nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, lidhur me aferën e kompanisë 5D, në cilësinë e ish-nënkryetarit të Bashkisë Tiranë.
Një burim nga Prokuroria i tha BIRN se Mazniku u pyet në kuadër të hetimit të kryer për kompaninë 5D në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen. Mazniku deklaroi gjithashtu për mediat pas daljes nga SPAK se u pyet si person që ka dijeni për çështjen.
“Dhashë informacionin që kisha dhe mbarova,” tha ai për gazetarët pa dhënë më shumë shpjegime.
Kompania 5D Konstruksion u vu nën hetim nga Prokuroria e Posaçme pas një kallëzimi të ish-kandidatit të opozitës për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi.
Në prill të këtij viti, prokurorët arrestuan Redi Mollën dhe Mariglen Qaton, dy drejtuesit jetëgjatë të bashkisë Tiranë gjatë qeverisjes së kryetarit Erion Veliaj dhe i akuzuan për manipulim tenderësh, korrupsion dhe pastrim parash. Krahas tyre u vendosën në masa sigurie dhe disa drejtorë të tjerë të bashkisë, të cilët akuzohen për manipulim të tenderëve.
Kompania 5D, e cila ka pasur të ardhura bruto prej 22 milionë eurosh mes viteve 2016 dhe 2022, është zgjeruar gjatë viteve të fundit në ndërtim pallatesh ndërsa një prej aksionerëve të saj, Redi Molla, ka hyrë si investitor në hotelin me status special në Durrës. Kompania e hotelit do të vijojë të administrohet nga pronarët ndërsa SPAK është përmbajtur me sekuestrimin vetëm të 24% të aksioneve të kontrolluara nga Molla.
Një investigim i mëparshëm i BIRN ngrinte hije dyshimi mbi Maznikun për një konflikt të mundshëm të interesi në lidhje me aktivitete të bashkisë të kryera në një restorant në Tiranë në pronësinë e tij familjare si dhe lidhjet me një tender të kompanisë publike, Tirana DC në kohën që drejtohej nga Molla.