Ministri për Diasporën në Maqedoninë e Veriut u takua me biznesmenin dhe veprimtarin e njohur Sal Rusi, në New York

Nga Beqir SINA

NEW YORK

Në kuadër të vizitës së tij, disaditore në SHBA, Xhemail Çupi, Ministër pa portofol, i Ngarkuar për Diasporën  në Maqedoninë e Veriut, u takua me veprimtarin Sal Rusi në Staten Island – New York City.

Në takim mori pjesë edhe Bekim Emini – shef ekzekutiv (CEO) i Agjensisë për Investime nga Jashtë dhe Promovim të Eksportit.

Takimi u mbajt në të ashtuquajturën “Shtëpia e Bardhë” e Staten Island-it, e biznesmenit Sel Rusi, ku janë organizuar shumë fushata për mbledhje fondesh për politikanë të njohur, përfshirë ehde ish kandidaten për presidente në SHBA, Hillary Clinton, në 2016.

Në emër të Familja Rusi duke i uruar mirëseardhje babai i vëllezërve Sal, Ilirjan dhe Benjamin Rusi, Turhan Rusi, me telefon nga Florida, shprehu kënaqësinë e familjes së tij për takimin e ministrit shqiptar nga Maqedonia me djalin e tij.

“Sot, pata nderin që bashkë me Ministrin e Diasporës prof.Xhemail Çupi, të jem mysafir në rezidencën e biznesmenit shqiptar z.Selim Rusi, i cili njihet si një prej biznesmenëve më të suksesshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA! “ shkruajti në statusin e tij zyrtar  Bekim Emini i cili po shoqëron gjatë kësaj vizite ministrin e diasporës.

Më tej, ai tha se ky ishte një takim me një personalitet me një sfond patriotik dhe atdhedashës, me vlera të larta dhe me arritje shumë të medha në sferën e biznesit!

“E vecanta e kësaj pritjeje ishte se në shtëpinë e z.Selim Rusi, simbol i dedikimit së mikpritjes tradicionale shqiptare, u bisedua gjerësisht për kontributin e ndihmën e shqiptarve nga vendorigjina e tyre, një shembull që duhet ndjekur edhe nga njerëzit që merren me politikë në trojet tona“, tha Emini.

Kurse ministri Çupi tha se: “Diaspora shqiptare është një shkollë edhe fetare edhe kombëtare edhe politike për ne. Shpresojmë që krahas të mirave ekonomike që i perfitojmë nga ata, të kemi guximin të kërkojmë edhe ndihmë në udhëheqjen e mirë”.