Ministri serb i Mbrojtjes nuk beson se marrëshja Kosovë –Serbi mund të arrihet sivjet

Beograd, 11 janar 2024 – Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha më 11 janar se nuk është optimist se deri në fund të vitit mund të arrihet një marrëveshje mes Serbisë e Kosovës.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), Vuçeviq tha se “nuk është realiste” të pritet që deri në fund të vitit të arrihet diçka që nuk është arritur me dekada.

Ai tha se Perëndimi do të vazhdojë presionin ndaj Serbisë, për raportet me Kosovën dhe për marrëdhëniet me Rusinë, por do  të dominojë çështja e Kosovës.

“Periudhë jo e lehtë, mbi të gjitha, do të thosha në gjashtë muajt e ardhshëm – jo vetëm deri në fund të janarit – Kosova dhe Metohia do të jetë tema dominuese”, tha Vuçeviq.

Sipas tij, kreu shtetëror serb “do të vazhdojë të jetë maksimalisht konstruktiv, duke mbrojtur interesat shtetërore dhe kombëtare, por edhe do të ketë vija të kuqe të përcaktuara qartë”.

Vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj. Pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që palët ta zbatojnë marrëveshjen, blloku evropian ka thënë se ajo nuk po zbatohet.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar vazhdimisht që dialogu për normalizimin e raporteve duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

(r.m.)