Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut mohon se ka pasur tentim atentati ndaj Kurtit

Shkup, 10 shkurt 2024 – Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka mohuar se ka pasur tentim atentati ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimir rë tij në Shkup.

“Ju njoftojmë se gjatë vizitës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për vrasjen e tij. Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, ka thënë për Euroneës Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

RTK, duke iu referuar burimeve të saj në institucionet e sigurisë së Kosovës, ka raportuar për ekzistimin e një plani për atentat ndaj Kurtit në Shkup, të premten në mbrëmje. Ndërkaq Kurti ka thënë se gjatë mbledhjes me përfaqësues të partive socialiste të Evropës, në Shkup, ka parë forca të shumta policore, por nuk është ndjerë i rrezikuar. Ai ka thënë se ndaj tij ka shumë kërcënime nga “individë e struktura që i kanë rrënjët në Beograd”.

Pas raportimeve të RTK-së, Qeveria e Kosovës ka thënë se kërcënimet ndaj Kurtit nga Serbia janë shtuar pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork. Por, qeveria ka thënë se Kurti nuk është ndjerë i kërcënuar gjatë qëndrimit në Shkup.

“Nervoza në Beograd pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së i ka shtuar kërcënimet dhe agresivitetin ndaj Kryeministrit. Në Shkup janë parë forca të shumta të rendit. Kryeministri nuk është ndjerë i kërcënuar. Gjithçka ka shkuar mirë gjatë qëndrimit të tij në Maqedoni të Veriut”, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.

(r.m.)