Ministria Hajdari akuzohet për mosdeklarim të pasurisë

Prishtinë, 14 tetor 2022 – Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Rozeta Hajdarit, ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për veprën penale “mosraportim ose raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave apo dobisë tjetër materiale a detyrimeve financiare.

Lajmi është konfimruar nga zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Mund t’iu konfirmojmë se prokurori i çështjes, pas zhvillimit të hetimeve, më 13.10.2022, ka ngritur aktakuzë kundër R.H., në drejtim të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila aktakuzë është proceduar për trajtim të mëtejmë në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhet në  konfirmimin e saj për “Betimi për Drejtësi”.

Deklarimi i pasurisë nga personat publikë në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2007.

Deri më tash, duke mos përfshirë mjekët dhe profesorët, deklarimin e pasurisë në Kosovë e kanë bërë rreth 5 mijë zyrtarë publikë, nisur nga presidentja, kryeministri, ministrat, deputetët, kryetarët e komunave e deri te mijëra zyrtarë të tjerë që kanë pozita udhëheqëse.

Pas përfundimit të procesit të deklarimit të pasurisë, Agjencia Kundër Korrupsionit, përmes shortit, zgjedh një numër të caktuar të zyrtarëve publikë, të cilëve ua verifikon pasurinë e deklaruar.

Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri dhe pastaj në baza vjetore.

Mosdeklarimi i pasurisë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.

Kosova nuk ka ende ligj për verifikimin prejardhjes së pasurisë.

(r.m.)