Ministrja e Drejtësisë intervistohet nga Prokuroria Speciale lidhur me arratisjen e disa të burgosurve

Prishtinë, 22 korrik 2024 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është intervistuar sot (e hënë) lidhur me disa deklarata publike. Intervistimi do të vazhdojë edhe nesër (e martë).

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin publik se me autorizim të Prokurorisë Speciale, sot është intervistuar Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, me qëllim të sqarimit të  deklaratës së saj të dhënë në mediumin TV Dukagjini, në emisionin “Debat Plus’’ më datë 02 Korrik 2024, lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Në njoftim thuhet se ministrja Haxhiu është intervistuar edhe lidhur me postimin e saj në Facebook më 20 korrik 2024, ku ajo ka folur për rastet e arratisjee të personave të dënuar nga burgjet e Kosovës.

Prokuroria Speciale njoftoi se ministrja Haxhiu është ftuar në intervistë për të sqaruar disa çështje që ajo i ka ngritur në deklarimet e saj publike mbi rastet e arrestisjes së të burgosurve nga burgjet e Kosovës.

Ministrja Haxhiu, në një postim të gjatë në Facebook, ka thënë se Serbia ka organizuar se paku disa raste të arratisjes së të burgosurve nga Kosova.

“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, ka shkruar ministrja Haxhiu.

(r.m.)