Ministrja e Jashtme e Bosnjë e Hercegovinës reagon kundër pranisë së ministrave malazezë në Ditën e Republikës Serbe

Sarajevë, 9 janar 2023 – Ministrja e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviq, i dërgoi të hënën një letër proteste Dritan Abazoviqit, kryeministrit në largim të Malit të Zi, në lidhje me praninë e ministrave të drejtësisë dhe financave të Malit të Zi, Marko Kovaç dhe Aleksandar Damjanoviq, në ceremoninë me rastin e 9 janarit- Ditës së Republikës Serbe.

Në letër, zonja Turkoviq rikujton se me vendim të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës, përkujtimi i kësaj 9 janarit si Ditë e RS-së “është shpallur jokushtetuese dhe diskriminuese” dhe “prania e zyrtarëve qeveritarë dëmton marrëdhëniet fqinjësore të dy vendeve ”.

9 janari shënon datën në vitin 1992 kur serbët e Bosnjës deklaruan krijimin e shtetit të tyre në Bosnje, që ishte hapi i parë drejt luftës që shkaktoi vdekjen e më shumë se 100,000 vetëve dhe la miliona të pastrehë.

“Duke përkujtuar 9 janarin të Republikës Serbe, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës, shkelet Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe diskriminon anëtarët e kombeve përbërëse në Bosnje dhe Hercegovinë,” theksohet në reagimin e zonjës Turkoviq.

Zonja Turkoviq, vuri në dukje se “prania e ministrave nga qeveria aktuale e Malit të Zi për të shënuar festën e paligjshme paraqet një akt mosrespektimi për institucionet e Bosnjë-Hercegovinës”.

“Fakti që ministrat e Qeverisë së Malit të Zi, vend anëtar i NATO-s, ranë dakord të marrin pjesë në ceremoninë ku iu dha medalja Vladimir Putinit, presidenti i Federatës Ruse, e cila po kryen agresion kundër Ukrainës, është gjithashtu befasuese”, thuhet në letrën e Ministrës së Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik i dha të dielën presidentit rus Vladimir Putin medaljen më të lartë të nderit për “kujdesin dhe dashurinë e tij patriotike” për gjysmën e Bosnjës të kontrolluar nga serbët, një veprim që u dënua nga Bashkimi Evropian.

Edhe nënat e Srebrenicës i dërguan një protestë qeverisë së Malit të Zi dhe kryeministrit në largim, Dritan Abazoviq për shkak të “pranisë së ministrave të tij në kremtimin e ditës antikushtetuese të Republikës Serbe”.

Ato thanë në Twitter se u vjen keq që Mali i Zi është ndër ato vende që festojnë dhe lavdërojnë gjenocidin.

“Po i dërgojmë protestë qeverisë së Malit të Zi dhe kryeministrit Abazoviq për shkak të pranisë së ministrave të tij në ‘festimin’ e ditës antikushtetuese të RS-së”, shkruajnë Nënat e Srebrenicës.

Ata i bënë thirrje grupimit promalazez, Partisë Demokratike të Socialistëve, Partisë Socialdemokrate, Partisë Boshnjake dhe deputetëve shqiptarë “të mos lejojnë ministrat e rremë të minojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës”.

(Zëri i Amerikës)