Ministrja Gërvalla e priti ish-presidenten e Konfederatës së Zvicrës, Micheline Calmy-Rey

Prishtinë, 6 shtator 2022 – Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka pritur në takim ish-presidenten e Konfederatës së Zvicrës, Micheline Calmy-Rey.

Ministrja Gërvalla i ka shprehur zonjës Calmy-Rey mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e madhe të Zvicrës në kohën që ajo ishte në krye të shtetit helvetik.

Kabineti i ministres Gërvalla njoftoi se në takim është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Konfederatës së Zvicrës, me theks të veçantë në sektorin e shërbimeve për kategorinë e personave të moshuar. Bashkëpunimi ekonomik me Konfederatën e Zvicrës është shumë i rëndësishëm për Kosovën, duke qenë se në këtë shtet jeton një pjesë e madhe e mërgatës së Kosovës.

Në takim është biseduar edhe për shtimin e investimeve zvicerane në Kosovë. Konfederata e Zvicrës radhitet e dyta për investime në Republikën e Kosovës

Ministrja Gërvalla e ka njoftuar ish-presidenten zvicerane Micheline Calmy-Rey për procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, si edhe në  organizata të tjera ndërkombëtare.

Në këtë takim, kanë marrë pjesë edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Sami Ukelli dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci, e cila është kryetare e Grupit të Miqësisë Kosovë-Zvicër.

(r.m.)