Mirënjohje simbolike për vepra madhore

Shefki UKAJ

 

Të shtunën, në Klubin e Brunos, në Manhattan, në New York, në klubin që njihet si pikëtakim i parë i shqiptarëve prej gati gjysmë shekulli, u mbajt një takim i ngrohtë i Presidentes së Kosovës, Zonjës Vjosa Osmani, me një pjesë të mirë të komunitetit shqiptar që jetojnë e veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani e vlerësoi me mirënjohje të thellë kontributin e komunitetit shqiptar në Amerikë për afirmimin e çështjes shqiptare, veçanërisht të çështjes së Kosovës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  

Me këtë rast, ajo i dekoroi disa prej qindra e mijëra shqiptarëve që kanë punuar me zell e përkushtim të jashtëzakonshëm për atdheun/mëmëdheun e tyre, në mbarë hapësirën gjeografike, dhe për kombin shqiptar, përtej kornizave politike e ideologjike – të gjithë njerëz me kredo të fortë atdhetare, shembullorë për komunitetin dhe shumë të suksesshëm në fushat e veprimit të tyre: aktivistë politikë, afaristë, intelektualë, artistë, prijës fetarë, veprimtarë humanitarë etj. – të njohur prej kohësh për opinionin publik shqiptar për punën e tyre të palodhshme në shërbim të atdheut dhe të kombit.

U gëzova shumë që midis personaliteteve të dekoruara nga Presidentja Osmani ishte edhe gazetari, publicisti e aktivisti i palodhshëm i çështjes shqiptare në Amerikë, botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami.

Z. Bajrami, ndoshta njohësi më i mirë i komunitetit shqiptar në Amerikë, vlerësohet për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për njohjen dhe rinjohjen e opinionit publik shqiptar me këtë komunitet.

Përmes gazetës “Illyria” e pastaj përmes monografisë monumentale “Shqiptarët e Amerikës”, Bajrami e njohu apo rinjohu opinionin publik shqiptar me historinë e mërgatës shqiptare në Amerikë, me figura shumë të rëndësishme të historisë së përpjekjeve të shqiptarëve për liri e pavarësi prej fillimit të shekullit 20 e deri në mbarim të tij, me autoritete të shquara në fushën e shkencës, artit e kulturës, me ekspertë të respektuar në fusha e veprimtari të ndryshme dhe me njerëz të sukseshëm në botën e madhe amerikane – mërgimtarë të hershëm ose më të vonë nga trojet etnike shqiptare.

Bajrami, me shkrimet e tij, riktheu në kujtesën e historisë shqiptare personazhe të rëndësishme të luftës për pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e saj natyrorë, figura të përjashtuara nga historiografia shqiptare ideologjike, autoritete të ndjekura, të persekutuara dhe të stigmatizuara nga regjimi komunist në Shqipëri dhe nga regjimi regjimet serbe në Kosovë, në Maqedoni, në Kosovë Lindore dhe në Mal të Zi.

Si gazetar, si botues i gazetës “Illyria” dhe si shef i seksionit në gjuhën shqipe të Zërit të Amerikës, Bajrami ka punuar me ndjenjë të lartë përgjegjësie etike e profesionale për informim të saktë, objektiv dhe të paanshëm. Ai ka dhënë kontribut shumë të rëndësishëm në aplkimin e standardeve më të larta profesionale në gazetari dhe në mbrojtjen e pavarësisë editoriale të medieve. Këtë vazhdon ta bëjë edhe sot e kësaj dite, në kohën kur gazetarët e mediet ballafaqohen përditë me sfida të natyrave nga më të ndryshmet, si edhe me forma të ndryshme të presioneve të politikës dhe parapolitikës, si edhe të grupeve lokale, nacionale e transnacionale të interest.

Z. Bajrami, paralalisht me punën e tij në fushën e informimit, është marrë aktivisht me afirmimin e çështjes shqiptare në elitat politike të Amerikës. Bashkë me aktivistë të tjerë shqiptarë dhe me miq amerikanë me ndikim në qarqet politike, i ka ngritur shqetësimet e shqiptarëve në Kongres, në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë. Ai ka qenë autor rose bashkautor i disa promemorieve dhe parashtresave për çështje të Kosovës, si edhe për pozitën dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, në Luginë të Preshevës dhe në Mal të Zi.

Vehbi Bajrami, pa dyshim, është pjesë e elitës shqiptaro-amerikane që ka luajtur rol shumë të rëndësishëm edhe në ndërtimin e urave të miqësisë së shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Angazhimet e tij të fundit fokusohen në forcimin e bashkëpunimit midis Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes e tw sigurisë dhe në procesin e integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike të sigurisë. Njëkohësisht angazhohet për rritjen e investimeve të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të kompanive dhe korporatave amerikane në Kosovë.

Natyrisht, Vehbi Bajrami është vetëm njëri prej miijëra shqiptaro-amerikanëve që punojnë pa pushim, me dashuri e me përkushtim të veçantë, për zhvillimin e progresin e përgjithshëm të shqiptarëve, kudo të trojet e tyre etnike, si edhe për forcimin e aleancës shqiptaro-amerikane I si interes kombëtar suprem.

Të gjithë, pa përjashtim, meritojnë mirënjohje publike, qoftë ajo edhe simbolie, siç ishte dekorimi nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.