Astrit Lulushi
Bota vazhdimisht ndryshon. Vite e shekuj do të kalojnë dhe ndryshimet e sotme do shpjegohen me mite. Ashtu si mitet e sotme përshkruajnë një kohe të shkuar që ka qenë reale.
Ndryshimet kanë qenë temë e filozofëve dhe historianëve, sepse një ndjenjë e realitetit në një kulturë është bazë për çdo kërkim shkencor nga ajo kulturë, duke filluar me kërkimet më të hershme filozofike mbi natyrën e botës.
Funksioni i modeleve në fizikë, biologji, mjekësi dhe shkenca të tjera i ngjan atij të miteve si modele të botës njerëzore. Në mjekësi, për shembull, trupi i njeriut ndonjëherë krahasohet me një makinë ose truri i njeriut me një kompjuter, dhe modele të tilla kuptohen lehtësisht.
Pasi një model ka fituar pranim, është i vështirë për t’u zëvendësuar dhe në këtë aspekt i ngjan mitit; dhe, ashtu si në mit, mund të ketë një larmi të madhe interpretimesh.
Në shekullin e 17-të kryesisht mendohej në rrethe shkencore se universi mund të shpjegohej tërësisht në terma të trupave të vegjël, lëvizjes dhe ndërveprimit të tyre, dhe se asnjë entitet i asnjë lloji tjetër nuk ekzistonte. Në masën që shumë modele në historinë e shkencës kanë marrë pjesë në këtë karakter disi absolutist, shkenca mund të thuhet se i ngjan mitit.
Megjithatë, ka dallime të rëndësishme. Shkenca rrallë ndryshon qëndrim. Pavarësisht nga rrallësia relative me të cilën janë zëvendësuar modelet në shkencë, ky zëvendësim ndodh pas shumë pengesave. E kundërta ndodh me një mit – ai nuk konsiderohet si rregull, por është i hapur për ndryshim, ose zëvendësim të një miti të ri me një të vjetër. Për më tepër, pavarësisht nga ndikimi i gjerë kulturor i teorive, si ato të Isaac Newton dhe Albert Einstein, në përgjithësi është e vërtetë të thuhet se modelet në shkencë kanë vlerën e tyre kryesore për shkencëtarët në fjalë. Prandaj, ato funksionojnë më fort për një segment relativisht të vogël të shoqërisë, edhe pse, për shembull, një teori mjekësore e mbajtur në qarqet akademike në një shekull, mund të filtrohet në mjekësinë popullore në shekullin tjetër. Si rregull, miti ka një ndikim shumë më të gjerë.
Shkenca moderne nuk evoluoi si një rebelim kundër mitit dhe as në lindjen e saj nuk u çlirua papritmas nga prangat e mitit. Në Greqinë e lashtë, natyralistët e Jonit të konsideruar prej kohësh si krijuesit e shkencës, zhvilluan pikëpamje për universin që në fakt ishin shumë afër miteve të krijimit të kohës së tyre. Ata që hodhën themelet e shkencës moderne, si Nikolla i Kuzës, Johanes Kepleri, Isak Njutoni dhe Gottfried Leibniz, ishin të zhytur në probleme metafizike, karakteri tradicional mitologjik i të cilave është i dukshëm. Ndër këto probleme ishin natyra e pafundësisë dhe çështja e plotfuqishmërisë së Zotit. Ndikimi i pikëpamjeve mitologjike shihet në lidhjen me qarkullimin e gjakut me lëvizjet planetare dhe shpjegimin e trurit me kozmosin.
Disa mendimtarë kanë argumentuar bindshëm për një dimension mitologjik të gjithë shkencës. Miti, në këtë pikëpamje, është ai që merret si i mirëqenë kur fillon mendimi; është në të njëjtën kohë kufiri i arritur në rrjedhën e analizës shkencore, kur konstatohet se nuk mund të bëhet përparim i mëtejshëm në përkufizim pasi të jenë arritur disa parime themelore. Në kërkimet e fundit shkencore, veçanërisht në astronomi dhe biologji, çështjet e teleologjisë (detyrimi moral) kanë fituar rëndësi, ndryshe nga shqetësimet e mëparshme me çështjet e origjinës. Këto shqetësime të kohëve të fundit nxisin diskutimin rreth kufijve të asaj që mund të shpjegohet shkencërisht, dhe zbulojnë sërish një dimension mitologjik të njohurive njerëzore.