Mitsotakis: Çështja “Beleri” përmbys progresin e arritur mes Greqisë dhe Shqipërisë

Athinë, 17 shtator 2023 – Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotak, tha se çështja e arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, dhe mbajtja e tij në qeli, ka lënë në hije marrëdhëniet dypalëshe mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Mitsotakis tha se kjo çështje ka përmbysur progresin e bërë në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe do t’i krijojë vështirësi Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Ai tha gjithashtu se është i shqetësuar nga fakti që Belerit nuk po i jepet mundësia për t’u betuar dhe shfaqi shpresën se do të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.

“Çështja i lë në hije marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë dhe përmbys progresin që kishim arritur. Më shqetëson veçanërisht fakti që edhe sot Shqipëria refuzon t’i japë atij mundësinë për t’u betuar si kryetar bashkie. Është një shkelje e qartë e së drejtës ndërkombëtare dhe do të ketë implikime më të gjera për përpjekjen e Shqipërisë për t’iu afruar familjes evropiane”, tha Mitsotakis, në një deklaratë për medie.

“Uroj dhe shpresoj që së shpejti të gjendet një zgjidhje, nuk do të ndalem së ngrituri çështjen e Belerit në BE dhe te zoti Rama”, u shpreh Mitsotakis, citon Panorama, duke iu referuar medies greke.

(r.m.)