Mjeshtri dhe Margarita, Satirizimi i totalitarizmit nga Bulgakov në Rusinë e Putinit – Një Pakt me Djallin?

Rafaela Prifti

Një vepër arti disidente në Moskën e sotme menjëherë të zgjon kureshtje nëse është një manovër e Kremlinit disa javë përpara zgjedhjeve në Rusi, tentativë e lëvizjes opozitare apo një akt i dhuruar nga rrethanat. Në regjimin e Putinit reagimi i publikut ndaj një filmi është domethënës veçanërisht kur protagonisti ngadhënjen në sajë të një pakti me djallin – salutim letrar për Faustin e Gëtes. Filmi artistik Mjeshtri dhe Margarita i përshtatur nga romani i Mikhail Bulgakov-it (1891-1940) po ndiqet nga publiku i gjerë rus qysh nga nata e premierës kinematografike në 25 janar. Vepra satirike e periudhës staliniste, e pabotuar në kohën e vet, karikaturizon tiraninë dhe damkos censurën, të cilat kanë pllakosur përsëri Rusinë e sotme. Bulgakov ishte mjek me profesion, por filloi të shkruante letërsi në vitet 1910, dhe arriti të ketë sukses si dramaturg. Novelën Mjeshtri dhe Margarita, ai e ka shkruar në fshehtësi gjatë periudhës 1928 dhe 1940. Vepra u ndalua nga autoritetet dhe arriti të botohej e plotë në 1967 gati tre dekada pas vdekjes së Bulgakovit. Si satirë e llojit të mbinatyrshëm, vepra është përshtatur vazhdimisht për teatër dhe film në mbarë botën. Ajo është njëherit fshikullimë e dogmave ideologjike dhe një nga himnet e letërsisë botërore për lirinë e artistit dhe individit.

Stalini nuk urdhëroi ekzekutimin apo internimin e autorit, siç veproi për shumë shkrimtarë të kohës, por e ngulfati dhe censuroi krijimtarinë artistike të Bulgakovit. Në kohën e sotme filmi përkon me riardhjen e frymës staliniste dhe persekutimin sistematik të inteligjencës në Rusi. Nëpërmjet subjektit fantazmagorik, Bulgakov reflekton për të mirën dhe të keqen brenda individit, e shfaqur në “ardhjes së djallit” me shpurën e tij në Moskën e Stalinit, ku takohet me autorin e përndjekur, i njohur si Mjeshtri dhe me të dashurën e tij Margarita.

Ndërsa Mjeshtri dhe Margarita po shfaqet në kinema, propagandistët e regjimit në media pyesin si u lejuan xhirimet, dhe nëse dikush është treguar naiv apo është mashtruar. Zallamahia në studiot e televizionit shtetëror i dha një pjese të publikut shtytjen për të shpejtuar të blinin bileta me idenë se filmi mund të shpallet i ndaluar. Deri tani atë e kanë parë pothuaj katër milionë shikues. Produksioni më i ri nga regjisori amerikan Michael Lockshin nuk pritej të ishte sensacion në Rusinë e periudhës së luftës të Putinit. Faktikisht, filmi kishte nisur rrugëtimin në 2019 vite përpara se Putini të pushtonte Ukrainën dhe të ushtronte një valë represioni të ngjashme me periudhën sovjetike. Jo vetëm kaq, por shteti kishte bërë investime disamilionëshe për realizimin e filmit dhe xhirimet kishin përfunduar. Ndalimi i një vepre sinonime me lirinë e autorit mund t’i jetë dukur si kulmi i ironisë edhe vetë Kremlinit. “Pas një vonese disamujore, dalja e filmit ishte një nga ngjarjet më të mëdha të historisë kinematografike në Rusi,” njoftuan mediat. Regjisori Lockshin është shtetas amerikan por fëmijërinë e ka kaluar në Shtetet e Bashkuara dhe Rusi. “Filmi është kritikë ndaj censurës,” tha ai, i bindur se nuk do ta lejonte vetë censurën për hir të shfaqjes së filmit në Rusi. Me fillimin e luftës në Ukrainë studio filmike Universal Pictures u largua nga Rusia. Aktualisht filmi nuk ka distributor në Shtetet e Bashkuara.

Te publiku rezonon satirizimi i regjimeve autoritare të së kaluarës dhe të tashmes ku spikasin ngjashmëritë dhe zelli demagogjik. Sulejman Rushiti, regjisor dhe drejtor i Teatrit Profesionist të Gostivarit e sheh si “një vështrim shumë interesant me paralelizëm në epoka të ndryshme.” Audienca e ndjen subjektin si të përjetuar ndërsa mbrojtësit e Putinit e nuhasin rrezikun që mund të vij prej tij. Skenat e kallëzimeve ndaj atyre që nuk e përkrahën luftën dhe u shpallën armiq të shtetit i përngjanin përshkrimeve të informatorëve dhe pasazhit të ballos së famshme të djallit në novelë.

Disa herë audienca shpërthen në duartrokitje në fund të filmit si përgjigje instiktive ndaj realitetit aktual rus e përzier me një lloj habie që shfaqja ka arritur deri te publiku. Ajo që e shton dozën e habisë është fakti se regjisori e ka kritikuar publikisht pushtimin rus dhe ka mbështetur Ukrainën.

Publikut që sheh skenat e një filmi kundër totalitarizmit shtetëror në një vend ku zëri i pavarur nuk lejohet më të dëgjohet reagon me anë të “gjuhës së filmit” që të arrij të flasë. Kur shteti rus paditi për nxitje të terrorizmit pronarin e kinemasë dhe skenaristin, kineastët e bënë atë pjesë të filmit. Në momentet e fundit, protagonistja, luajtur nga aktorja ruse Yulia Snigir, përkrah djallit, luajtur nga aktori gjerman August Diehl, vështrojnë zjarrin që ka përshirë qytetin – simbol i fatit të pashmangshëm të një sistemi anti-njerëzor dhe gjakatar.