Monika Kryemadhi tregon arsyet e përplasjes me Ilir Metën

Tiranë, 19 prill 2024 – Partia e Lirisë është futur në seri përplasjesh të cilat tashmë kanë kulmuar me akuzat e çiftit Ilir Meta e Monika Kryemadhi.

Sipas Kryemadhit, debati në Partinë e Lirisë, siç përmend Meta për “çimkaxinj”, ka nisur pas sulmit hakerues disa javë më parë të kompjuterave në selinë e partisë. Denoncimin që bëri vetë Meta në organet ligjzbatuese për këtë çështje. Monika Kryemadhi e konsideron si paçavure.

Kryemadhi thotë se Metën e kanë gënjyer disa njerëz të cilët “nga rrogëtarë në presidencë janë bërë rrogëtar në PL”.

“Jo nuk ka qenë e tensionuar. Debati që Monika Kryemadhi di të bëjë gjithmonë, nuk bën debat duke thënë ‘po’ shefi, Monika bën debat duke treguar që debati ka filluar me atë paçavuren e famshme të denoncimit që është firmosur nga z.Meta përsa i përket serverave”.

Debati është edhe për shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë sa i përket meritokracisë, angazhimit, funksionimit të strukturave, marrjes së përgjegjësisë. Unë nuk mendoj që një parti politike është thjesht like dhe share në Facebook. Struktura e një partie politike është kontakti fizik i drejtpërdrejt me njerëzit.

Është gënjyer Ilir Meta. Sepse kur mbledh rreth vetes njerëz të cilët mendojnë që janë rrogëtarë, sepse një parti politike nuk mbahet me rrogëtarë dhe servilë sedentarë. Kur njerëzit të cilët e kanë mendjen bosh dhe nuk e mbushin dot kohën me aksion opozitar atëherë do të krijojnë armikun imagjinar. Ai material nuk është shkruar nga një profesionit, është shkruar nga një jurist i cili nuk njeh…

Asgjë nuk kanë gjetur. Është një fantazi e krijuar nga një grup njerëzish të cilët nga rrogëtarë në Presidencë vijnë dhe bëhen rrogëtarë në Partinë e Lirisë.

Jo, i kanë thënë jemi përgjuar ne, nuk kanë thënë që është përgjuar Ilir Meta. Personat i kanë thënë Ilir Metës jemi përgjuar ne. Por nuk është ky problemi i shqiptarëve. Do vijë Prokuroria, do ta shikojë, do i nxjerri si budallenj ata që i kanë bërë.

Kryetari i PL nuk firmos paçavure, firmos sekretari. Kryetari firmos si administrator godine, kjo është e papranueshme. Kur ka qenë Ilir Meta në zyrë, çfarë është përgjuar. Pas zgjedhjeve të 14 majit s’ka qenë në zyrë. Në janar ka ardhur në zyrë”, tha Kryemadhi, në një studio televizive.

Përmes një kallëzimi, kreu i Partisë së Lirisë, denoncoi pak javë më parë një vjedhje që, sipas tij, ka ndodhur brenda selisë, të DVR-së (hard diskut) me pamje të kamerave të sigurisë, episod ky që siç shkruhet në kallëzim pretendohet të ketë ndodhur më 6 mars pak para mesnate, në orën 23:40.

(Shqiptarja.com)

Comment

*