Mos e lini t’ju skadojë Dokumenti i Rezidencës së Përhershme (green card)

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Siguroheni që do ta rinovoni green card-ën në kohë, d.m.th. përpara se t’ju skadojë. Dokumenti i Rezidencës së Përhershme (Formulari I-551 i USCIS-it) është provë që keni statusin e rezidentit të përhershëm në Shtetet e Bashkuara. Ai vlen gjithashtu dhe si dokument identifikimi si dhe dëshmi që ju lejohet të jetoni dhe të punoni në Shtetet e Bashkuara. Ndonëse disa nga dokumentat e rezidencës së përhershme, të njohur ndryshe dhe si “green card” (kartë e gjelbër), nuk përmbajnë datë skadimi, shumica e tyre është e vlefshme vetëm për 10 vjet. Nëse statusi që ju është dhënë është ai i rezidentit të përhershëm me kusht, Dokumenti përkatës i Rezidencës së Përhershme është i vlefshëm vetëm për 2 vjet. Është shumë e rëndësishme të mos ta lini t’ju skadojë green card-a. Nëse green card-a skadon, mund ta keni të vështirë të provoni që keni statusin e rezidentit të përhershëm, dhe kjo mund t’ju pengojë të udhëtoni apo të vërtetoni që kualifikoheni për të punuar në Shtetet e Bashkuara. 

Duhet të rinovoni Dokumentin e Rezidencës së Përhershme në rast se keni një dokument të tillë të vlefshëm vetëm për 10 vjet i cili ose ka skaduar ose pritet të skadojë brenda 6 muajve të ardhshëm. Nëse Dokumenti i Rezidencës së Përhershme është i vlefshëm vetëm për dy vjet, statusi juaj është ai i rezidentit me kusht. Në këtë rast duhet të paraqisni një peticion duke filluar nga 6 muaj përpara datës së skadimit. Nëse peticioni aprovohet, do të merrni një green card të vlefshme për 10 vjet. Nuk është e nevojshme të dërgoni formularin I-90. Për këtë do të flasim më poshtë. Nëse dokumenti që keni nuk e ka datën e skadimit në pjesën e përparme të tij do të thotë që versioni i dokumentit që keni është i vjetër. Shumica e versioneve të vjetra të dokumetave në fjalë nuk janë më të vlefshëm. Edhe nëse Dokumenti i Rezidencës së Përhershme që keni nuk përmban datë skadimi, ju rekomandojmë që të bëni kërkesë për ta rinovuar.

Bëni kërkesë për zëvendësimin e dokumentit të rezidencës së përhershme në rast se nevojitet të ndryshoni të dhëna në të ose nëse dokumenti në fjalë ju ka humbur, ju është dëmtuar ose jua kanë vjedhur. Gjithashtu, personave që janë bërë rezidentë të përhershëm përpara se të mbushnin moshën 14 vjeç, u kërkohet që kur të mbushin moshën 14 vjeç, ta zëvendësojnë green card-ën që kanë. 

Për të aplikuar për rinovim apo zëvendësim të green card-ës, përdorni formularin I-90, Application to Replace Permanent Resident Card. Ky formular gjendet në faqen e internetit të USCIS-it në adresën www.uscis.gov

Mos përdorni formularin I-90 nëse jeni rezident me kusht dhe po ju skadon statusi. Nëse keni statusin e rezidentit të përhershëm me kusht, për të hequr kushtin kërkohet që të paraqisni një peticion brenda 90 ditëve nga dita që ju skadon green card-a. Nëse statusi i rezidentit me kusht është marrë në sajë të një martese, atëherë duhet të paraqisni formularin I-751, Petition to Remove Conditions on Residence. Nëse statusin e rezidentit me kusht e keni marrë si investitor apo sipërmarrës, nevojitet të paraqisni formularin I-829, Petition by Entrepreneur to Remove Conditions on Permanent Resident Status. Nëse nuk paraqisni peticionin për heqjen e kushtit, mund të rrezikoni të humbisni statusin e rezidentit të përhershëm. Formularët I-751 dhe I-829 mund t’i gjeni në faqen e internetit të USCIS-it në adresën www.uscis.gov.  

Udhëzimet për formularët ofrojnë më shumë detaje. Nëse ka pyetje të tjera, aplikanti mund të kontaktojë shërbimin ndaj klientit të USCIS-it në numrin 1-800-375-5283. 

Nëse më skadon green card-a gjatë kohës që jam në Shqipëri, a do të më lejohet të kthehem në Shtetet e Bashkuara?

SV

New York, NY

Shtetet e Bashkuara do t’ju lejojnë të rihyni, por mund t’ju nevojitet të paraqisni Formularin që shërben për këtë qëllim: I-193, Application for Waiver of Passport or Visa.  Gjithashtu mund të aplikoni menjëherë për një green card të re duke paraqitur formularin I-90, Application to Replace Permanent Residence Card. Normalisht duhet ta marrni green card-ën brenda dy muajve, por kur t’ju njoftojë USCIS-i për të dhënë shenjat e gishtërinjve, zyrtari aty do t’jua bëjë të vlefshme green card-ën edhe për një vit. Nëse ju duhet të udhëtoni përpara kësaj kohe, nevojitet të caktoni një takim INFOPASS që t’ju vënë një vulë që shërben si provë e përkohshme e statusit tuaj si rezident i përhershëm.

Më ka skaduar green card-a këto kohë, ndërsa jam në pritje të shqyrtimit të aplikimit për nënshtetësi. A më duhet të aplikoj për green card të re që të udhëtoj?

QL

Bronx, NY

Nëse përpara se të ndërmerrni udhëtimin, nuk ju është aprovuar kërkesa për nënshtetësi, mund të pajiseni me një provë të përkohshme të statusit të rezidencës së ligjshme të përhershme. Për këtë qëllim duhet të caktoni një takim INFOPASS pranë zyrës lokale të USCIS-it. Me vete në takim duhet të keni njoftimin që keni bërë kërkesë për nënshtetësi (filing receipt), green card-ën e skaduar si dhe një pasaportë të vlefshme tuajën. USCIS-i do t’ju vërë një vulë e cila shërben si provë e përkohshme e statusit tuaj si rezident i ligjshëm i përhershëm.

Ka dhe shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me statusin e rezidentit të ligjshëm të përhershëm të cilat, për shkak të mungesës së hapësirës, nuk mund t’i përmendim të gjitha, por ju inkurajojmë që të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit lidhur me situatën tuaj konkrete. Gjithashtu, mund të gjeni informacion shtesë për vizar në faqen e internetit të Shërbimit të Emigracionit dhe Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS) www.uscis.gov.