Moskë, 13 prill 2026 – Moska ka reaguar në mënyrë të matur pas humbjes së aleatit të hershëm të Rusisë, Viktor Orban, në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Hungari. Sipas mediave shtetërore ruse, Kremlini pret që Hungaria të ruajë marrëdhëniet me Rusinë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka pranuar se populli i Hungarisë e ka bërë zgjedhjen e vet dhe se Rusia e respekton këtë zgjedhje. Ai ka thënë se Krermlini do të presë të shohë se çfarë do të bëjë qeveria e Peter Magyarit, duke shtuar se Kremlini nuk beson se ndërrimi i pushtetit në Budapesty do të ndikojë në konfliktin në Ukrainë.
Peskov ka thënë se Rusia dëshiron të ndërtojë marrëdhënie të mira me Hungarinë dhe me vendet tjera evropiane.
Kryeministri hungarez në largim, Viktor Orban, konsiderohej si udhëheqësi evropian më i afërt me presidentin rus Vladimir Putin, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Hungaria ka vazhduar të blejë gaz dhe naftë nga Rusia, pavarësisht sanksioneve të Bashkimit Evropian.
Në dhjetor të vitit që shkoi, Orban e përdori veton për të bllokuar një kredi prej 90 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian për Ukrainën.
Edhe Beogradi ka reaguar me maturi ndaj fitores së Magyarit.
Presidenti Aleksandar Vuçiq, e ka uruar Magyarin, duke shprehur besimin se dy vendet do ta vazhdojnë bashkëpunimin e mirë midis tyre, për të cilat e ka vlerësuar Orbanin.
“Ia uroj fitoren në zgjedhje Peter Magyarit. Besoj në vazhdimin e bashkëpunimit të mirë midis Hungarisë dhe Serbisë dhe I jam mirënjohës Viktor Orbanit që e ka bërë të mundur këtë bashkëpunim”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Viktor Orban ishte njëri ndër mbështetësit më të mëdhenj të Vuçiqit. Në prag të zgjedhjeve në Hungari, ai ka marrë mbështetje të fortë nga presidenti serb.
Ndërkaq, kryeministri i ardhshëm, Peter Magyar, ishte shumë kritik ndaj Vuçiqit, të cilin e quante “mik dhe partner biznesi” të Orbanit.
Ai i kishte mbështetur protestat kundër “regjimit të korruptuar” në Serbi dhe kisjte bërë thirrje për bashkimin e opozitës serbe kundër regjimit të Vuçiqit.
(r.m.)