Moskë, 3 dhjetor 2025 – As pas pesë orë bisedimesh midis presidentit rus, Vladimir Putin dhe negociatorit amerikan, Steve Witkoff, nuk është bërë ndonjë përparim drejt arritjes së një marrëveshjeje për paqe në Ukrainë.
Yuri Ushakov, zëdhënës i Kremlinit, ka thënë se takimi në Moskë ishte “konstruktiv”, por pjesë të planit mbetën të papranueshme për Rusinë. Ai ka thënë se Kremlini “pajtohet me disa pika… por disa gjëra i kritikonim”.
“Nuk kemi dalë ende me një version kompromisi. Ka shumë punë përpara”, ka thënë Ushakov.
Ekipi amerikan i autorizuar nga Presidenti Donald Trump nuk është deklaruar për takimin.
Pjesë e delegacionit amerikan ishin edhe i dërguari special i Presidentit Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner.
Para takimit, Putin kishte deklaruar se ndryshimet e propozuara nga Ukraina dhe nga Evropa në një draft të marrëveshjes për paqe, i cili mbështetet nga SHBA-të, janë të papranueshme për Rusinë. Ai madje e kishte kërcënuar Evropën, e cila i jep mbështetje të forte Ukrainës.
“Nëse Evropa dëshiron të shkojë në luftë dhe e nis një të tillë, ne jemi gati tani”, ka thënë ai.
Ukraina dhe aleatët e saj në Evropë i kanë bërë thirrje SHBA-së që të bëjë ndryshime në draftin e marrëveshjes për paqe, i cili është pjesë e angazhimeve të Shtëpisë së Bardhë për të arritur një marrëveshje të shpejtë. BE-ja e ka cilësuar këtë draft si “të favorshëm” për Rusinë, prandaj në draft janë bërë disa ndryshime javët e fundit.
Cilat janë pikat e draftit që po shkaktojnë ngërç në bisedimet për paqen në Ukrainë?

Çështja e territorit mbetet në qendër të negociatave për vendosjen e paqes në Ukrainë.
Në Planin e paqes që mbështetet nga SHBA-ja parashihet që Krimeja, Luhansku dhe Donetsku të njihen si territore “de facto ruse”. Kjo do të thotë se Ukraina dhe vendet e tjera aleate nuk do të kenë nevojë të njohin kontrollin rus.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se “çështja e territorit është elementi më i vështirë” i marrëveshjes së paqes.
Kremlini vazhdon të kërkojë që Ukraina të heqë dorë nga territori që e kontrollon, ndërsa Kievi ka theksuar vazhdimisht se kurrë nuk do të bëjë lëshime territoriale.
BBC-ja raporton se heqja dorë nga territori ku jetojnë të paktën një çerek milioni ukrainas (Donetsku, Slovyansku, Kramatorsku dhe Druzhkivka) do të jetë e papranueshme për shumicën e ukrainasve.
Ndërkohë, në qytetin strategjik të Pokrovskut kanë vazhduar luftimet. Rusia thotë se ushtria e saj e ka pushtuar këtë qytet, por Ukraina e hedh poshtë këtë, duke thënë se luftimet janë duke vazhduar ende.
Plani i paqes i mbështetur nga SHBA-ja propozon që Krimeja, Luhansku dhe Donetsku të njihen “si de facto ruse, përfshirë edhe nga Shtetet e Bashkuara”.
Kjo do të thotë që Ukraina dhe vendet e tjera nuk do të kenë nevojë të njohin ligjërisht kontrollin rus.
Drafti gjithashtu sugjeron që në rajonet jugore të Khersonit dhe Zaporizhzisë, vijat e frontit do të ngriheshin dhe Rusia do të hiqte dorë nga zonat që ka pushtuar diku tjetër në Ukrainë – një referencë për rajonet verilindore të Kharkiv dhe Sumy, si dhe rajonin e Mykolaiv në jug.
Zelensky ka thënë më parë se lejimi i Moskës për të pushtuar tokë me forcë do të vendoste një precedent të rrezikshëm.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar për Fox News në një intervistë të transmetuar të martën se, Rusia dhe Ukraina po luftojnë për 30-50 km hapësirë terrritori.
(r.m.)