Moska kushtëzon bisedimet për paqe me njohjen e territoreve të aneksuara të Ukrainës

Moskë, 2 dhjetor 2022 – Kremlini tha sot se Presidenti Vladimir Putin është i hapur për bisedime mbi një zgjidhje të mundshme mbi Ukrainën, por shtoi se refuzimi i Shteteve të Bashkuara për të njohur territoret e aneksuara nga Moska, po bëhet pengesë për një kompromis të mundshëm.

“Mënyra më e preferuar për të arritur qëllimet tona është nëpërmjet mjeteve paqësore e diplomatike”, tha zoti Dimitri Peskov.

“Putini ka qenë, është dhe mbetet i hapur për kontakte e negociata”, shtoi ai.

Rusia ka shpallur aneksimin e rreth një të pestës së territorit të vendit ish-sovjetik, Ukrainës, gjë që Perëndimi dhe Kievi thonë se nuk do ta pranojnë ndonjëherë. Kremlini thotë se kjo është pengesë për gjetjen e një kompromisi të mundshëm.

I pyetur nëse Moska shihte një mundësi për negocita pas deklaratës mbi këtë çështje të presidentit Biden, zoti Peskov tha:

“Në thelb, zoti Biden u shpreh se negociatat janë të mundshme, vetëm pasi Putini të largohet nga Ukraina”.

“Kremlini nuk mund ta pranojë këtë gjë”, tha Peskov, duke shtuar se “operacioni i posaçëm ushtarak” në Ukrainë do të vazhdojë.

(Sipas Zërit të Amerikës)