Moska paralajmëron pasoja nëse SHBA i dërgon Ukrainës sisteme “Patriot”

Moskë, 15 dhjetor 2022 – Ministria e Jashtme e Rusisë paralajmëroi të enjten se nëse Shtetet e Bashkuara marrin vendim të dërgojnë sistemet e sofistikuara të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, ky do të konsiderohej si një veprim tjetër provokues i Uashingtonit, të cilit Moska do t’i përgjigjej.

Por zëdhënësja e ministrisë së jashtme të Rusisë, Maria Zakharova nuk sqaroi konkretisht se për çfarë veprimesh bëhej fjalë.

Gjatë konferencës së përjavshme me gazetarë zonja Zakharova tha se SHBA-të janë bërë “efektivisht palë” në luftën në Ukrainë.

Sipas disa njoftimeve të bëra nga zyrtarë amerikanë të cilët kanë folur në kushte anonimiteti, Uashingtoni pritet t’i dërgojë Kievit sistemet ‘Patriot’, që do të ishin sistemet më të avancuara që Perëndimi ia ka ofruar deri më tani Ukrainës për ta mbështetur atë në përpjekjet për të zmbrapsur sulmet ajrore ruse.

Rritja e ndihmës ushtarake amerikane, që përfshin dhe armatime të sofistikuara “do të nënkuptonte përfshirje edhe më të gjerë të personelit ushtarak (amerikan) në veprime armiqësore dhe kjo mund të sjellë pasoja të mundshme”, shtoi zonja Zakharova, por pa dhënë specifika mbi pasojat.

Zyrtarët amerikanë thanë të martën se Uashingtoni ishte gati të miratonte vendimin për dërgimin e sistemit të avancuar të mbrojtjes ajrore “Patriot” në Ukrainë, duke rënë dakord më në fund për një kërkesë urgjente për armatime nga udhëheqësit ukrainas. Kievi ka kërkuar vazhdimisht armë më të fuqishme për të rrëzuar raketat ruse që kanë dëmtuar pjesën më të madhe të infrastrukturës jetike të vendit. Zyrtarët amerikanë kanë thënë në kushte anonimiteti se vendimi pritet të merret brenda kësaj jave e me gjasë të enjten.

Nëse Uashingtoni vendos pro dërgimit të sistemeve Patriot në Ukrainë, ato do të ishte sistemi më i avancuar i raketave tokë-ajër që Perëndimi i ka ofruar deri tani këtij vendi për ta ndihmuar në përpjekjet për të zmbrapsur sulmet ajrore ruse.

Kjo çështje kanë qenë në shqyrtim prej disa kohësh, por zyrtarët thanë se me afrimin e dimrit dhe përshkallëzimin e bombardimeve ruse ndaj infrastrukturës civile, shqyrtimi i saj ka marrë prioritet.

Zyrtarët amerikanë kishin hezituar t’i ofronin këtë lloj sistemi Ukrainës, pasi sipas tyre një gjë e tillë mund të shihej nga Moska si një përshkallëzim i konfliktit e për pasojë ajo të kundërpërgjigjej.

Këto lloj sistemesh gjithashtu kërkojnë përgatitje të lartë dhe në mesin e ekspertëve ushtarakë kishte shqetësime se për përdorimin e tyre do të kërkoheshin trupa amerikane.

I pyetur mbi këtë Pentagoni tha këtë javë se në përgjithësi Uashingtoni i merr në konsideratë këto nevoja kur ofron sisteme të ndërlikuara armësh për Ukrainën, sikurse në rastin e Sistemeve të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë, të njohura si HIMARS. Aktualisht, forcat amerikane po stërvitin trupat ukrainase për një numër sistemesh, në vende të tjera evropiane, si Gjermania.

Përpara njoftimeve lidhur me planet amerikane për të dërguar sistemet raketore ‘Patriot’, Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit rus të Sigurisë, i cili drejtohet nga Presidenti Vladimir Putin, paralajmëroi se nëse ‘Patriotët’ hyjnë në Ukrainë “së bashku me personelin e NATO-s, ata do të shndërroheshin menjëherë në një objektiv të ligjshëm për forcat tona”.

I pyetur nëse Kremlini i qëndron këtyre deklaratave kërcënuese, zëdhënësi Dmitry Peskov u përgjigj po, por më pas, gjatë një telekonference me gazetarë ai shtoi se nuk do të bënte komente më të detajuara derisa Uashingtoni të shpallte zyrtarisht vendimin.

Ukraina deri më tani ka qenë e kujdesshme në reagimin ndaj këtyre njoftimeve.

Hanna Maliar, zëvendësministre e mbrojtjes e Ukrainës, u tha gazetarëve të enjten në Kiev se dorëzimi i armëve të tilla mbetet një çështje e ndjeshme jo vetëm për Ukrainën, por për vendet partnere. Ajo shtoi se vetëm presidenti Volodymyr Zelenskyy ose ministri i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov do të bënin një njoftim zyrtar për ndonjë marrëveshje të tillë.

Ndërkohë Ukraina vazhdon të përballet me probleme të mëdha në infrastrukturën e saj jetike për shkak të sulmeve ruse. Krahas dëmeve në infrastrukturë, sulmet ajrore ruse po shkaktojnë edhe viktima në njerëz.

Kompania elektro-energjitike e Ukrainës njoftoi të enjten se në vend po zbatohen kufizime të mëdha në furnizimin e popullatës me energji elektrike ndërsa temperaturat janë ulur në disa raste nën zero.

(Zëri i Amerikës)