Moskës aq i bën për Serbinë. Rastin e Kosovës e përdor për të përligjur pushtimin e territoreve të Ukrainës

Moskë / Beograd, 3 tetor 2022 – Rusia po e përdor rastin e Kosovës për të përligjur pushtimin e terriroreve të Ukrainës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë, në një dokument zyrtar, i është referuar për herë të parë aktgjykimit të Gjyaktës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, për të “argumentuar” se referendumet në katër rajone të Ukrainës për bashkim me Rusinë janë mbajtur në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.

“Populli i Donbasit dhe i Ukrainës jugore e ushtroi të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje në përputhje me Kartën e OKB-së, me marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të vitit 1966, me Aktin Përfundimtar të OSBE-së të Helsinkit të vitit 1975 dhe me aktgjykimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së për Kosovën, më 22 korrik 2010. Kjo e fundit konfirmon se shpallja e njëanshme e pavarësisë së një pjese të shtetit nuk e cenon asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare”, thuhet në dokumentin e Ministrisë së Jashtme ruse, citon medium N1.

A do të thotë kjo se Beogradi pret kot që Moska të mbrojë interesat e Serbisë në Kosovë?

Disa analistë politikë në Serbi thonë se krahasimi mes aneksimit të rajoneve ukrainase nga Rusia me Kosovën tregon se Moska është e interesuar vetëm që të përligjë pushtimin e territoreve ukrainase.

“Duke iu referuar vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ata vetëm tregojnë se janë të interesuar absolutisht vetëm se si t’i përligjin pushtimet territoriale dhe nuk janë të interesuar fare për Kosovën”, ka thënë Isak Vorguçiq për N1.

Dragomir Angjelkoviq e ka cilësuar këtë si “rulet rus” të dhimshëm për Serbinë. Ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet të sqarohetlidhur me këtë qëndrim të Moskës.

 “Pra, sa dhemb ruleti rus më i fundit me ‘Njet’ dhe ‘Da’ në lidhje me rastin e Kosovës? Ne nuk e kemi dëgjuar ende komentin e presidentit apo ndoshta ai edhe nuk dhemb”, ka thë Angjelkoviq.

Ambasadori i Ukrainas në Serbi, Volodymyr Tolkach, ka deklaruar për mediumin N1, se krahasimi mes Ukrainës dhe Kosovës është krejtësisht i paqëndrueshëm.

“Ka gjëra që nuk mund të krahasohen. Është vërtet qesharake të krahasohen referendumet që janë mbajtur në Kosovë nën monitorimin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe që po përgatiteshin me vite me referendumet që u mbajtën nën kërcënimin e forcave të armatosura të Rusisë, të cilat nuk kanë asnjë bazë ligjore”, ka thënë ai.

(r.m.)