Mostrat e Astrit Deharit të ndjerë janë zhdukur nga Laboratori i Toksikologjisë

Prishtinë, 8 dhjetor 2022 – Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se të mërkurën në mbrëmje është njoftuar se mostrat e Astrit Deharit të ndjerë janë zhdukur nga Laboratori i Toksikologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

Të enjten, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Haxhiu ka thënë se ky është një akt i rëndë kriminal për të cilin ka njoftuar prokurorinë dhe policinë.

“Mbrëmë jam informuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë. Ky është akt i rëndë, kriminal, prandaj menjëherë kam njoftuar Kryeprokurorin dhe Drejtorin e Policisë”, ka thënë ajo.

Haxhiu ka treguar se në laborator gjendeshin mbi 10 mostra, të cilat nuk gjenden më aty. Ajo ka thënë se nuk dihet saktë se kur mund të jenë marrë mostrat nga laboratori dhe ka bërë të ditur se qasje nëlaborator kanë pasur vetëm tre persona.

“Në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe jam njoftuar si në vijim: në mbajtësen e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, 1 epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Ky institut dy epruveta me gjak ia ka dhënë Instituti Zviceran dhe një policisë për ADN. Aktualisht sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit. Në vend kanë qasje vetëm 3 persona. Vetëm 3 persona i kanë çelësat”, ka thënë ajo.

Ministrja Haxhiu ka thënë se është shumë e vështirë të besohet se dikush nga jashtë i ka marrë ato mostra, për shkak të kompleksitetit të sistemit të dosjeve që gjenden në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ajo ka thënë se zyrtarët e laboratorit kanë vërejtur gjatë bartjes së mostrave se disa prej tyre mungojnë.

“Jam njoftuar nga udhëheqja e Departamentit të Laboratorit të toksikologjisë se dje kur kanë qenë duke i bartur mostrat nga frigoriferët e vjetër në frigoriferët e rinj, e kanë parë, janë bazuar në lëndët që i kanë pasur më të vjetra, 2014-2014-2016 janë marrë dosjet, rastet janë aty me kod, kur e kanë pa kodin dhe kanë shkuar në databazë, ka përkuar me rastin Dehari. Sot m’u tha që dikush që nuk është brenda, është e vështirë të kuptohet ku janë dosjet sepse ruhet në mënyrë shumë profesionale, nuk është e lehtë të kuptohet bash dosja e kujt ku është. Mënyra si sistemohen ato është goxha komplekse me bë dikush jashtë pa ndihmën e personave zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka thënë Haxhiu.

Sipas informacioneve që ka marrë ministrja, mostrat nuk janë kontrolluar prej tetorit të vitit të kaluar, çka e bën të vështirë përcaktimin e kohës së marrjes së tyre. Ajo i ka bërë përgjegjës zyrtarët përgjegjës të laboratorit.

“Në pyetjen time se sa shpesh kontrollohen dosjet, m’u tha se dosjet sistemohet vetëm kur ka kërkesa nga prokuroria… Sipas informacioneve, që nga tetori 2021 nuk kanë kontrolluar nëse janë mostrat, sepse kështu e kanë sistemin. Tek dje, kur e kanë bërë bartjen, e kanë kuptuar që mungojnë mostrat. Nuk dihet kur. Nuk ka thyerje të derës. Dikush nga zyrtarët përgjegjës janë përgjegjës të këtij akti”, ka thënë ministrja.

Haxhiu ka thënë se kjo situatë e rëndë vë hije dyshimi mbi gjithë Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe ka shtuar se do të jetë e thjeshtë të gjenden përgjegjësit, nëse ndiqet protokolli.

“Protokolli i vendit ku ruhen mostrat është shumë strikt, dhe nëse ndiqet, kuptohet qartë se kush janë përgjegjësit për këtë krim. Në këtë rast ata që kanë pasur guximin të veprojnë në këtë mënyrë as nuk zmbrapsen nga protokolli e as nga përfshirja në një vepër të rëndë penale. Këtë guxim mund ta kenë vetëm ata që për motiv kanë dëmtimin final të rastit Dehari”, ka thënë Haxhiu.

“Autorët do të gjenden dhe rasti do të zbardhet me çdo kusht, s’ka dyshim e as kompromis”, ka theksuar ajo.

Ministrja Haxhiu ka thënë se i di emrat e personave që kanë pasur qasje në laborator dhe se me ta po merren organet e hetuesisë, por theksoi se nga Instituti i Mjekësisë Ligjore kakërkuar të ndërmarrë veprime lidhur me rastin.

“Unë i di emrat e personave që kanë qasje në këtë institucion, por nuk mund t’i them sepse të njëjtit i di edhe policia e prokuroria. Sa i përket masave, na takon të ndërmarrim masa disiplinore ndaj personave përgjegjës. Komisioni disiplinor i Institutit të Mjekësisë Ligjore ka marrë kërkesë për adresim të veprimeve, sot të përfundojë puna në suspendimin sepse legjislacioni nuk lejon menjëherë shkarkimin. Në përputhje me kompetencat e mia, do t’i ndërmarr masat”,ka thënë ministrja Haxhiu.

This image has an empty alt attribute; its file name is Albulena-Haxhiu.jpg

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në qelinë e burgut në Prizren, më 5 nëntor të vitit 2016, ku po mbahej në paraburgim, me dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë.

Prokuroria pati thënë se bëhet fjalë për vetëvrasje, por familja Dehari dhe drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje insistojnë se Astriti është vrarë dhe për këtë i akuzojnë institucionet shtetërore të Kosovës. Familja ka dyshime në raportin e ekspertëve vendorë të forenzikës, prandaj kanë kërkuar raport edhenga një institut në Zvicër. Megjithatë, ende mungon një përgjigje përfundimtare lidhur  me rastin, i cili është ndoshta rasti më i politizuar i kësaj natyre.

(r.m.)