Mourinho përcillet me brohorima dhe fishkëllima

Brohorima dhe fishkëllima ndërsa Mourinho mbyll kapitullin me Realin e Madridit

Në bdeshjen e tij të fundit si trajneri i Realit të Madridit, José Mourinho, u duartrokit por edhe u fishkëllye nga tifozët e klubit të famshëm spanjoll.
Ky është një reagim tipik ndaj trajnerit të shquar portugez që si zakonisht e ndan në dysh opinionin publik mes atyre që e adhurojnë dhe atyre që e urrejnë.
Besohet që Mourinho po rikthehet si trajner i klubit Chelsea në Londër, pas tre vjetësh me Realin e Madridit. Ardhja e tij ishte plot shpresa për Madrilenët, mirëpo, kjo koinçidoi me formën më të mirë në histori të rivales kryesore të Realit, Barcelona. Në fund, frustrimi për mungesën e fitoreve të mëdha, solli fundin e natyrshëm të periudhës së Mourinhos te Reali.
Në tri vitet e qendrimit në Madrid, Mourinho fitoi me Realin Kupën e Mbretit, në vitin e parë, La Liga-n (kampionatin kombëtar spanjoll) në vitin e dytë dhe Superkupën në vitin e tretë. Po këto ishin shumë pak për një klub të madh si Reali që synonte Ligën e Kampioneve.
Ndeshja e fundit mbaroi 4-2 për Realin, kundër Osasunës. Të paktën, Mourinho e mbylli me fitore.
Mungonte në fushë edhe lojtari më i mirë i Realit, Kristiano Ronaldo për të cilin thashethemet janë se po kthehet edhe ai në Premier Ligën angleze. (Illyria)