Prishtinë, 2 mars 2026 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njoftoi se asnjëri prej qindra shtetasve të Kosovës që ndodhen në vende të Lindjes së Mesme nuk është prekur nga luftimet e ditëve të fundit.
“Sipas informacioneve nga misionet tona diplomatike, të gjithë qytetarët tanë aktualisht janë në gjendje të mire shëndetësore”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook.
Ministria u bëri thirrje shtetasve të Kosovës në këto vende që të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve lokale, të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në njoftimin e radhës dhe të qëndrojnë në kontakt me përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Ministria publikoi edhe kontaktet ku kosovarët mund të thërrasin për çdo nevojë urgjente.
Ministria bëri të ditur se në Izrael ndodhen 21 qytetarë të Kosovës, në Në Arabinë Saudite 331, në Emiratet e Bashkuara Arabe rreth 400 banorë rezidentë dhe 70 turistë, në Katar 75, në Kuvajt afërsisht 60, në Bahrejn 4 dhe në Oman 2 shtetas të Kosovës.
(r.m.)