Mujanoviq: E pakuptueshme heshtja e SHBA-së dhe BE-së ndaj manifestimeve proruse në Beograd

Sarajevë, 12 shkurt 2024 – Tifozët e klubit futbollistik “Crvena Zvezda” në Beograd e shprehën publikisht krenarinë për aleancën e Serbisë me Rusinë, Të dielën, në stadiumin e këtij klubi, valvitën flamujt e Rusisë dhe brohoritën “Serbët dhe rusët – vëllezër përgjithmonë”.

Analisti boshnjak, Jasmin Mujanoviq, e ka cilësuar këtë manifestim si “shembull shkollor” të realitetit në Serbinë e Aleksandar Vuçiqit dhe ka shprehur habinë se si SHBA-ja dhe BE-ja ed shpërfillin këtë fakt.

“Përveç që tifozët e Cërvena Zvezdës, ‘Delije”, shprehin përsëri pikëpamjet e tyre ekstreme shoviniste, ky manifestim është shembull shkollor i realitetit të shoqërisë së sotme serbe nën Aleksandar Vuçiqin. Përpjekjet e SHBA-së dhe BE-së për të shpërfillur këtë fakt të thjeshtë janë plotësisht të pakuptueshme”, ka shkruar Mujanoviq në plaformën X, ku ka publikuar pamje nga manifestimi i tifozëve të “Cërvena Zvezdës” në stadium.

Tifozët e “Cërvena Zvezdës” shpesh kanë shprehur urrejtje ndaj shqiptarëve. Pas sulmit terrorist të serbëve në Banjskë, më 24 shtator 2023, në stadiumin e këtij klubi janë nderuar si heronj tre pjesëtarët e grupit të armatosur që u vranë gjatë përleshjes së armatosur me policinë e Kosovës dhe u dëgjuan parulla e brohoritje raciste kundër shqiptarëve.

(r.m.)

Comment

*