Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Paraqitja e formularit për green card njëkohësisht me një formular tjetër
Kur kërkoni të merrni green card përmes punësimit, bashkimit familjar ose si emigrant i posaçëm, mund të nevojitet që dikush të paraqesë një peticion për ju. Zakonisht themi së është bërë “aplikim i njëkohshëm” në rastin kur një peticion për emigrim dorëzohet në të njëjtën kohë me kërkesën për green card. Le të shohim se çfarë është aplikimi i njëkohshëm dhe cilave kategori u lejohet të aplikojnë njëkohësisht.
Kur paraqitja e njëkohshme e Formularit I-485 për green card (Application to Register Permanent Residence or Adjust Status) bëhet përpara se të miratohet peticioni përkatës për bashkim familjar, atëhere themi se kemi të bëjmë me paraqitje të njëkohshme të aplikimit I-485 për ndreqje statusi. Që të konsiderohen si aplikime të depozituara njëkohësisht, peticioni për vizë imigruese dhe aplikimi për ndreqje statusi (Formulari I-485) depozitohen në të njëjtën kohë dhe dërgohen me postë në të njëjtin vend, së bashku me të gjitha tarifat përkatëse si dhe dokumentacionin mbështetës. Gjithashtu, edhe në rastin kur Formulari I-485 dorëzohet pasi është paraqitur kërkesa për vizë emigruese, dorëzimi konsiderohet i njëkohshëm, sa kohë që nuk është marrë ende vendim lidhur me peticionin për vizë emigruese.
Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS) u lejon aplikim të njëkohshëm:
- Anëtarëve të afërm të familjes së nënshtetasve amerikanë të cilët jetojnë në SHBA;
- Emigrantëve që kanë paraqitur aplikime me bazë punësimin si dhe anëtarëve të familjes që përmbushin kriteret, në rastet kur në dispozicion të tyre është vënë një numër vize;
- Të miturve me status të posaçëm emigracioni në ato raste kur është vënë menjëherë në dispozicion një numër vize si dhe kur është në juridiksionin e USCIS-it për të marrë vendim lidhur me aplikimin përkatës për green card;
- Fëmijës apo bashkëshortit/es të/së keqtrajtuar që ka paraqitur vetë një peticion, në rast se:
Prindi ose bashkëshortja/bashkëshorti abuzues është nënshtetas amerikan; ose
Nëse është vënë menjëherë në dispozicion një numër vize;
- Anëtarëve të caktuar të forcave të armatosura të cilët kanë aplikuar për vizë të veçantë emigruese sipas nenit 101(a)(27)(K) të ligjeve të Emigracionit (INA); dhe
- Personave të punësuar pranë organizatave ndërkombëtare që mund të përfitojnë status të veçantë emigracioni ose anëtarëve të tyre të familjes.
Aplikimi i njëkohshëm nuk mund të bëhet pranë zyrave konsullore, pasi peticionet e lartpërmendura mund t’i paraqiten vetëm USCIS-it dhe aplikimet për viza emigruese i paraqiten Departamentit të Shtetit. Prandaj, mund të flitet për “paraqitje të njëkohshme” në ato raste kur emigranti që paraqet kërkesë për green card, gjendet në Shtetet e Bashkuara.
Disponueshmëria e vizave dhe “aplikimi i njëkohshëm”
Mund të paraqisni njëkohësisht peticionin dhe aplikimin për green card në rast se, në momentin e paraqitjes, është vënë menjëherë në dispozicion një numër vize. Aplikimi i njëkohshëm u lejohet gjithmonë të gjithë personave të afërt të familjes së një nënshtetasi të Shteteve të Bashkuara, pasi në këtë kategori, nuk ka kufizime numerike. Megjithatë, në disa kategori, edhe nëse ka një numër vize të disponueshëm në kohën e paraqitjes së aplikimit, mund të mos ju lejohet të paraqisni njëkohësisht aplikimet nëse nuk keni marrë më parë një miratim të peticionit që përbën bazën e kërkesës suaj për ndreqje statusi. Për më shumë informacion nëse mund të paraqisni ose jo njëkohësisht aplikimet, mund t’i referoheni udhëzimeve në peticionin tuaj të emigrantit: Formulari I-130, Petition for Alien Relative; Formulari I-140, Immigrant Petition for Alien Worker; Formulari I-360, Petition for Amerasian, Widow(er), or Special Immigrant.
Kur gjykon aplikimet e paraqitura njëkohësisht, USCIS-i përcakton së pari nëse peticioni për vizë emigruese përmbush ose jo kriteret për miratim. Nëse një numër vize mbetet i disponueshëm për kategorinë përkatëse të emigrimit si dhe nëse Formulari I-485 që keni paraqitur, është i miratueshëm (për të cilin në raste të caktuara nevojitet një intervistë), zakonisht, USCIS-i e shqyrton në të njëjtën kohë formularin për ndreqje statusi si dhe dërgon më pas me postë, veç e veç, njoftimet lidhur me vendimet përkatëse për të dy formularët.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]