Mungonte për luftën në Kosovë një roman në anglisht, i shkruar nga perspektiva jonë, e grave dhe vajzave tona, e gjeneratas sime

Intervistë me autoren Iliriana Rama Allajbegu, për librin e sapobotuar në gjuhën angleze “The Reunion” dhe procesin e krijimit të tij

Nga Gena Morina Bajrami

Gena Morina Bajrami

Iliriana Rama Allajbegu është lindur dhe rritur në Kosovë, ku ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesme si dhe ka vijuar studimet në Universitetin e Prishtinës, dega gjuhë dhe letërsi angleze. Kur Universiteti i Prishtinës u mbyll më 1992, Iliriana u zhvendos në Londër, gjithmonë me shpresën se gjendja në Kosovë do të përmirësohej dhe se do të kthehej per të përfunduar studimet.

Kur e pa se një dëshirë e tillë u bë e parealizueshme, Iliriana u regjistrua në Universitetin Metropolitan në Londër ku u diplomua (Bachelor of Science) në degën Studime për Komunikim dhe Kulturë!

Në vitin 1999, Iliriana u vendos në New Jersey, në SHBA ku jeton edhe tani me familjen e saj.

Prej më shumë se dhjetë vitesh, punon si edukatore në shkollat shtetërore në Bergen County, New Jersey.

“The Reunion” është romani i saj i parë, të cilin ia kushton vajzave dhe grave të Kosovës që e kanë përjetuar dhe mbijetuar luftën në Kosovë.

Ngjarja edhe pse me personazhe fiktive, shtjellon realitetin e luftës dhe pasojat që ka lënë ajo te njerëzit në Kosovë në përgjithësi e te gratë dhe vajzat në veçanti.

Si erdhët te ideja për të shkruar këtë roman?

Autorja e romanit, Iliriana Rama Allajbegu

Qysh e vogël kam lexuar shumë e romani është nje nga zhanret që e preferoj me se shumti per lexim.  Jam adhuruese e tregimeve dhe e lajmeve e gazetarise se mirfillt dhe konsideroj veten dëgjuese të mirë.

Jam shume e ndjeshme dhe emocionale ndaj çdo ngjarjeje ose tregimi qe ka te bëjë me Kosovën, me shqiptarët, me historinë tonë. 

Kam prirjen të absorboj gjendjen shpirtërore dhe emocionale të njerëzve të afërt dhe kjo më ka bërë si të them kandidate të mirë për të shkruar. Edhe edukimi im gjatë jetës ka qene i drejtuar nga leximi, shkrimi, komunikimi e kultura prandaj ideja për të shkruar e botuar roman ka qenë, si te them gjithmonë prezente në jetën time.

Si studente në Londër pata shkruar një tregim për Kosovën dhe profesoresha ime e pat pëlqyer aq shumë sa e vuri në faqen e parë të gazetës së studentëve të Universitetit. Kjo ishte hera e parë që  besova se dikush mund t’i pëlqejë shkrimet e mia.

Lavdatat dhe inkurajimi i asaj profesoreshe për të shkruar, ishin një shtytje ne mendjen time për të pasur më shumë vetëbesim.

Pas asaj, pata shkruar disa artikuj edhe në shqip që në atë kohë ia dergoja në formë letre babit tim, tashme të ndjerë, i cili ishte adhuruesi më i madh i shkrimeve të mia. Ai i dërgonte për t’u botuar në gazetën “Bujku” më duket. Edhe inkurajimi dhe besimi që kishte baba im ne mua kan luajtur rol të madh në krijimin e vetëbesimit tim.

Kështu që, për të shkruar diçka, çfarëdo, qoftë edhe letër ose ditar, ka qenë një gjë normale për mua.

Gjatë pandemisë po lexoja më shumë se zakonisht dhe hasa në një roman nga një shkrimtare amerikano-kroate. Romani quhej “Girl at War” (“Vajzë në luftë”) dhe autorja nëpërmes një vajze të vogël përshkruante ngjarjet e luftës në Kroaci e Bosnje.

Nderkohë kisha lexuar shumë romane që përshkruanin ngjarjet ne Iran, Afganistan, Palestinë, Meksikë etj nga perspektiva e grave dhe vajzave të atyre vendeve dhe kuptova që nuk kisha hasur në ndonjë roman pak sa më relevant të shkruar për luftën në Kosovë nga perspektiva jonë, e grave dhe vajzave tona, e gjenerates sime.

Kështu që fillova të mendja dhe hulumtoja si do të shkruhej më së miri diçka që do te ishte edhe homazh për gjithë atë vuajtje e sakrificë por edhe që publiku, lexuesit e pasionuar si unë, të njiheshin më nga afër me ngjarjet tragjike e traumatike të luftës në Kosovë në një mënyrë me tërheqëse se sa leximi i librave historikë ose dokumentarë.

Pandemia zgjati mjaft dhe kur fillova të shkruaj (shkruaja ne telefon nga shpejtësia e mendimeve) ngjarja filloi të merrte formë dhe nuk munda të ndalem. Kuptova që kishte shumë për të shkruar. Temat lidheshin me njëra-tjetrën si dhe unë vetë u lidha shume me personazhe e mia dhe tani më dukej sikur ishin ato që diktonin tregimin dhe kërkonin që zëri i tyre të dëgjohej.

Si e përmendët edhe vetë, nuk ka shume romane që trajtojnë temën e viktimave të luftës në Kosovë, në gjuhën angleze. A mendoni se romani juaj do të arrijë qëllimin që kjo temë e rëndë të jetë me interes edhe për lexuesit amerikanë?

Ky ishte qëllimi im fillestar, që të sjell këto ngjarje tek lexuesi amerikan përmes formës së romanit që është formë më e përafërt, më intime e leximit se sa, për shembull, librat e historisë. Por, pas një kohë qëllimi u shndërrua në diçka tjetër, në synimin që personazhet e mia, të cilat morën jetë në mendjen time, t’i shpalosnin ndjenjat, problemet dhe dëshirat e tyre. Këto karaktere për mua personifikonin tashmë njerëz të vërtetë dhe ndjeva nevojën që ato duhej patjetër të merrnin jetë përtej kompjuterit ose faqeve të shkruara me dorë.

Tregimi, nga momenti kur mori një trajtë më të formësuar, nuk paraqet vetëm gratë dhe vajzat e Kosovës por të gjitha gratë dhe vajzat që kalojnë nëpër vështirësi të mëdha çdokund në botë. Dilemat e tyre janë universale dhe trajton tema të shumta si kriza e identitetit, dashuria, familja, shoqet dhe shokët e fëmijërisë, vendlindja, lufta, humbja e njerëzve të dashur, hakmarrja, përpjekjet për vazhdimin e jetës pas tragjedive etj janë tema me të cilat çdo lexues mund të identifikohet dhe ta gjejë vehten pa marrë parasysh në cilin kënd të botës ka lindur apo jeton.

Thatë që këto personazhe tani përjetohen si njerëz të vërtetë nga ju. A i keni bazuar te ndoksuh që njihni personalisht?

Jo, natyrisht që jo, por ato në vehte përmbajnë padyshim karakteristika të përbashkëta me të gjithë njerëzit që kam njohur në jetë e pa dyshim edhe karakteristika të miat e të shoqeve të mia të gjeneratës që gërshetohen në baze të ngjarjes dhe tregimit.

E gjithë ngjarja është fiktive dhe çdo ngjashmëri me persona të vërtetë është krejtësisht e rastësishme.

Në fillim të romanit njihemi me Besën e cila vendose të kthehet përgjithmonë për të jetuar në Kosovë, pas njëzet viteve. Gjatë gjithë këtyre viteve ajo është ballafaquar me një ëndërr të keqe, me një makth i shkaktuar nga koha kur policia serbe hyri me forcë në banesën e familjes së saj dhe i detyron të largohen nga shtëpia e të bëhen refugjatë në Maqedoni.

Skenën e kësaj ngjarjeje e keni përshkruar gjatë, plot emocion dhe është vetëm njëra nga skenat që është e rëndë për ta lexuar. Si ka qene procesi i shkrimit të kesaj skene dhe në çfarë gjendjeje psiqike është dashur të jeni që të shkruani skena të rënda si kjo e Besës dhe si ajo e dhunimit të karakteres tjetër Arianës?

A ka qenë e vështirë për ju t’i shkruani këto skena?

Pa dyshim që kam menduar gjatë për këto skena. Kam lexuar shumë artikuj të shkruar për viktimat e luftës, për çfarë u ka ndodhur, jam munduar të hyjë thellë në psikologjinë e atyre që kanë përjetuar trauma dhe të imagjinoj si do mund të jenë ndjerë në ato momente.

Ka qenë shumë e vështirë. Kam qarë shpesh edhe ende qaj kur i lexoj ato skena. Për mua ka qenë shumë me rëndësi të tregohet ajo anë e ndjesisë sepse duhet ta dimë se ato gjëra të tmerrshme u kanë ndodhur njerëzve të pafajshëm, njerëzve prej mishi e gjaku dhe nuk duhet të mbeten vetëm statistika.

Ana tjetër e mënyrës së shkrimit tim është ritmi i shpejtë i tregimit dhe këtë e kam bërë për arsye jo vetëm që të mbahet kurreshtja te lexuesi por edhe që i gjithë tregimi të shkaktojë njëfarë ankthi edhe te lexuesi njësoj si ankthi i karaktereve.

Dmth jam munduar që ndjenjën e frikës e dhimbjes ta përçoj edhe me anë të ritmit të shpejtë të shkrimit si dhe me kalimin prej një karakteri në tjetrin dhe përsëri mbrapa.

E gjithë atmosfera e romanit është kaotike në mënyrë që lexuesi të ndjejë kaosin jo vetëm të ngjarjeve të luftës por edhe të gjendjes kaotike në mendjen e karaktereve si pasojë e traumave të luftës.

Sa ja kam arritur qellimit nuk e di por shpresoj që lexuesi do të bëhet të ndjejë bashkë me personazhet aq sa edhe të mendojë për gjendjen e tyre shpirtërore.

Përveç Besës dhe Arianës, Suzi dhe Fatimja janë dy personazhe të tjera te të cilat traumat e luftës shkaktohen në një mënyrë më indirekte.

Suzana e cila është fëmijë e martesës së përzierë mes babës shqiptar dhe nënës serbe, e martuar me luftëtar të lirisë të shndërruar në politikan, fajin për luftën ia vesh nacionalizmave në Ballkan dhe te të gjitha palët.

Fatimes në anën tjetër problemet i vijnë nga torturat që i perjeton i shoqi në burg dhe shndërrimi i tij në një fanatik fetar i cili më nuk i ngjan personit me të cilin ajo ishte dashuruar.

Tema keto edhe më të komplikuara. Si i komentoni?

Lufta në Kosovë ka lënë pasoja në nivele të shumta dhe të ndryshme. Kam dashur të paraqes edhe ato raste kur edhe nëse gruaja nuk ka qenë viktimë e drejtpërdrejtë, jeta e saj ka ndryshuar për të keq nga vetë rrethanat dhe dëmet që u janë bërë njerëzve rreth saj.

Suzana është ajo që ka jetuar mirë në Jugosllavi psh dhe lufta për të ka qenë shkatërruese në aspekt pak më ndryshe prej të tjerave. Ajo përveç që ka humbur rehatinë dhe familjen, ajo ndjen se ka humbur edhe identitetin e vet si fëmijë i prinderve me dy nacionalitete të armiqesuara mes tyre. Ajo nuk e di cilit grup i takon më shumë (ose më pak)

Fatimja në anën tjetër mundohet me mish e me shpirt të kthejë njeriun e dashur në personin që ka qenë para se të torturohet në burg por pa sukses.

Tortura që i është bërë shokut të saj të jetës e ka shndërruar atë në njeri të panjohur për të. Ajo mbetet me dilemën a të sakrifikohet deri në vdekje dhe të jetojë në një martesë të paqenë tashmë apo të largohet dhe të vazhdojë jeten e saj ashtu si ajo e deshiron. Ajo ndjen që faji per ndryshimin e Agimit nuk qendron vetem te pamundesia e tij që ta kalojë traumën e luftes por edhe te ndryshimi ne mendjen e tij për menyren si tejkalohet kjo traumë.

Agimi gjen prehjen e tij në lutje dhe në fe mirëpo Fatimja është ambicioze dhe më e menqur se të pranojë dogmat fetare të cilat ia pamundësojnë të jetë vetvetja dhe i kufizojnë në minimum aftësitë e saj intelektuale. Ajo në fund gjen shpëtimin në forcimin e vetdijes se saj për t’u bërë e pavarur dhe refuzon nënshtrimin që i behet nga rrethanat e imponuara nga i shoqi.

Tema keto shume aktuale dhe interesante besoj qe e lene lexuesin te mendoje shume.

Mbrëmja e maturës është kulmi i romanit ku ngjarjet ndodhin shpejt, ku kemi befasi dhe zhvillime kulmuese për personazhet e romanit. Si i keni dhënë këtë kahje romanit?

Si tregon edhe titulli, ngjarja arrin kulminacionin gjatë mrëmjes së njëzetvjetorit të maturës kur Ariana rastësisht hap telefonin e Suzanës i cili cingërron pa ndërprerje, duke dashur të marrë porosinë për të.

Për çudi të saj, në anën tjetër të telefonit Ariana e dëgjon dhe njeh zërin e dhunuesit të saj të para njëzet viteve. Ai në serbisht i flet asaj duke menduar se po flet me Suzanën.

E shashtisur, Ariana zbulon jo vetem të fshehtën që Suzana është spiune por ajo në ato momente tejet emocionale ndjen se i paraqitet rasti ideal që më në fund të hakmerret për gjithë fatkeqësitë që i kanë ndodhur gjatë luftës pa fajin e saj natyrisht.

Të them të drejtën, nuk e di as vetë si ka ardhur deri te ky lloj kulminacioni në tregim vetëm e di që si shkrimtare kam dashur që të paktën në tregim fiktiv t’u jap shanse viktimave të hakmerren. Ndoshta gabim por edhe vetë kam ndjerë një lloj çlirimi nga kjo hakmarrje sy me sy ndaj dhunuesit që e bën Ariana.

Instikti primal, (shtazarak) për hakmarrje që gjendet te çdo njeri të cilit i është bërë padrejtësi e madhe, del në pah në mënyrën më të çiltër edhe te Ariana e cila nuk e fsheh asnjëherë këtë ndjesi të papërpunuar për hakmarrije. Jam e lumtur në një farë mënyre që të paktën në roman, një viktimë gjen një lloj drejtësie.

Fundi i romanit është po ashtu emocional kur heroinat, pas mbrëmjes dalin te Pallati i Rinisë dhe hasin në turma të të rejave që janë duke shkuar në stadium për të pergatitur instalacionin kushtuar viktimave të dhunës. Të gjithë e dimë që fjala është për instalacionin e artistes së mirënjohur Alketa Xhafa Mripa “Thinking of You”. Mendoj qe fundi është perfekt. Si keni ardhur deri te kjo ide?

Mendoj që instalacioni i Alketa Xhafes “Thinking of You” ka qenë dhe është homazhi më prekës për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ideja ime ka qenë që të gjitha karakteret e mija të mbarojnë njëfarë rrethi të kompletuar jetësor dhe të ballafaqohen me problemet e tyre nga e kaluara në mënyrë që të mund të vazhdojnë jetën më tej. Qe t’i lënë problemet ne te kaluaren e te mundohen te vazhdojnë jeten që u ka mbetur.

Vizita e këtij instalacioni paraqet një lloj fundi, shpërfaqeje dhe ballafaqim me çfarë u ka ndodhur dhe në mënyrë figurative ato i lënë mbrapa tragjeditë, të varura në telat e rrobave, për t’i parë dhe ndjerë të gjithë, deri sa ato vetë të vazhdojnë të lëvizin para në drejtim të horizontit.

Nuk mundem pa ju pyetur edhe për kopertinën impresionuese, pikturë nga artistja Fitore Berisha. Si e zgjodhët këtë kopertinë?

Pata filluar ta shkruaj romanin dhe ne mendjen time po krijoja këto karaktere qeë ishin edhe gra edhe vajza te reja, edhe viktima edhe heroina, edhe te dashura edhe te komplikura: kur rastësisht pashë postimin e Fitores, që e kam shoqe qysh nga fëmijeria, të kesaj pikture me katër fytyra tepër të ndjeshme. Aty per aty m’u duk sikur pashë në jetë karakteret e mia. Ndjenja qe krijoi kjo pikture tek unë ishte e papërshkrueshme.

E kontaktova Fitoren, e pyeta a e ka në dispozicion pikturën dhe nëse po mos t’ia jepte askujt përveç meje.

Fitorja e pikturoi prej fillimi vetëm per mua dhe ndihem me fat dhe e privilegjuar ta kem këtë pikturë në shtëpi dhe që kisha mundesinë ta përdorja për kopertinën e librit.

E falenderoj Fitoren nga zemra!

Në fund: Si e shihni të ardhmen? Për romanin? Për personazhet? Për ju si autore debutante?

Personalisht nuk kam ndonjë ambicje  të madhe as për romanin as për veten time si autore. Ndjej sikur unë punën time e kam kryer, u kam dal borxhit karaktereve të mia dhe i kam sjellë në jetë.

Por të gjitha shoqet e mia që e kanë lexuar romanin, pa përjashtim, me kanë thënë që do të donin që të bëhej film. Një gjë e tillë do të ishte mrekulli dhe shfrytëzoj rastin të ftoj këdo që ia merr mendja, të provojmë ta shndërojmë këtë roman në skenar filmi dhe të shohim mundësitë për të bërë një film me të.

Romanet dhe leximi në pergjithesi mendoj që janë diçka personale që ose të pelqejnë ose nuk të pelqejnë. Një zhanër që mund t’i pelqej dikujt, mund te mos i pelqej tjetrit dmth eshte shije individuale. Njerezit në ditet e sotme lexojnë shumë pak. Mediat sociale kanë bere qe shumica prej nesh mos te kemi te zhvilluar aftesine e mbajtjes se vemendjes ne diçka per nje kohe me te gjate se disa minuta. Komunikojmë me texte, me shenja (emoji) etj dmth njerezit po humbin aftesite e shprehjes dhe komunikimit. Kjo po e ben jeten me te zbrazet, me te pandjeshme, indiferente ndaj problemeve te tjetrit etj. Por une shpresoj që atyre që ende lexojnë, ky roman t’u pelqejë dhe shpresojë se kam arritur të shpreh në mënyrë të mirë atë që kam dashur të tregoj dhe ne te njejten kohe t’u jap shkas lexuesve te mendojnë për jeten e vet dhe njerezve rreth tyre.

Une per vete, nga cdo gje qe kam lexuar kam mesuar diçka, me eshte ngulitur diçka ne mendje, me ka formesuar ne njeriun qe jam çdo roman, autobiografi, cdo liber me keshilla etj.

Shpresoj ky roman te jete jo vetem nje tregim por edhe mesim e inspirim per te mos u dorezuar para te keqijave qe ndodhin ne jete, per te gjetur forcen per te vazhduar.

Jeta është e shtrenjtë dhe duhet të mundohemi të jetojmë si dimë më së miri.

Sa i perket karaktereve, ato veq se jane nje kombinim i te gjitha neve.

Ato jane nenat, motrat, shoqet qe i shohim e takojmë cdo dite. Secila nga ne paraqet ndonje aspekt te ketyre karaktereve qe me forcen e tyre cdo dite tejkalojmë vështirësi, barriera që na i vendos shoqëria dhe jeta. Mund të mos përjetojmë gjëra të medha por ato të voglat të perditshmet jane po aq të rëndësishme për t’i përballuar e tejkaluar, për të gjetur humor e pozitivitet në jetë gjithmonë.

Faleminderit shumë dhe ju uroj shumë suksese!

Ju faleminderit ju për kohen. Ishte kënaqësi!

Librin “The Reunion” nga Iliriana Rama mund ta gjeni ne te gjitha platformat dixhitale. Iliriana shpreson që së shpejti do të jetë në dispozicion në versionin e shtypur edhe në Kosovë.

https://ëëë.amazon.com/Reunion-Iliriana-Rama/dp/B0D935MTDQ