Prishtinë, 25 shkurt 2026 – Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, deklaroi të mërkurën se një kandidat për President të Shtetit nga familja e heroit kombëtar Adem Jashari do të pranohej si “konsensus automatik” në shoqërinë e Kosovës.
Kjo deklaratë e Konjufcës, si edhe një vizitë e Kryeministrit Albin Kurti në familjen Jashari në Prekaz, krijuan hapësirë që të besohet se një nga anëtarët e kësaj familjeje emblematike mund të jetë kandida për president të ardhshëm të Kosovës.
Por, duket se kandidat për të parin e shtetit nuk do të jetë askush nga familja Jashari apo, më saktë, nuk do të jetë Murat Jashari, emri i të cilit është lakuar disa herë në kontekst të kandidaturave për president të vendit.
Murati, në një prononcim për VOXKosova, e ka përjashtuar mundësinë e pranimit të kandidaturës për president, duke shtuar se familja Jashari “u takon të gjithë shqiptarëve” dhe se ajo nuk duhet të përfshihet në kalkulimet politike të ditës. Ai ka thënë se një përgjegjësi të tillë do ta pranonte vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, por kurrsesi në rrethana normale.
“Familja Jashari u takon të gjithë shqiptarëve dhe postin e presidentit do ta pranonte veç, ruana Zot, në ndonjë gjendje të jashtëzakonshme a ndonjë luftë civile, ku kërkohet unitet e sakrificë, por jo në rrethana tjera. S’kam të drejtë, as nuk lejoj me e futë emrin e familjes Jashari në kalkulime politike e as për poste politike”, ka deklaruar Murat Jashari.
Kosova duhet ta zgjedhë presidentin e ri deri më 4 mars, për të shmangur zgjedhje të tjera të parakohshme, pasi mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill.
Kryeministri Albin Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje – partisë më të madhe në Kosovë – është takuar me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së për t’u konsultuar lidhur me zgjedhjen e presidentit a presidentes së ardhshme. Të tre janë shprehur për një kandidat “ndërpartiak”, por deri më sot nuk e kanë përmendur asnjë emër.
Sipas raportit të forcave në Kuvend, kandidati i asnjë subjekti politik nuk mund të fitojë numrin e nevojshëm të votave pa marrëveshje me së paku një subjekt tjetër politik.
Sipas Kushtetutës, kandidatët për president propozohen nga së paku 30 deputetë. Këtë kriter mund ta përmbushë e vetme vetëm Lëvizja Vetëvendosje, e cila i ka 57 deputetë, por në votimin për presidentin duhet të votojnë dy të tretat e përbërjes së Kuvendit, pra së paku 80 deputetë.
Në këtë raport forcash, Presidentja aktuale Vjosa Osmani, e cila ka shprehur interes për një mandat të dytë, duhet ta ketë edhe përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje për t’u zgjedhur përsëri.
Sot për sot, nuk ka asnjë informacion të besueshëm se kush mund të jetë kandidati apo kandidatja e shumicës për president të vendit. Gjithë çfarë thuhet për kandidaturat duket se janë vetëm hamendësime.
(r.m.)