Murseli dhe Plava dënohen me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, Kokalla dënohet me 30 vjet burgim

Prishtinë, 21 prill 2026 – Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murselin e Granit Plavën, kurse Kushtrim Kokallën e ka dënuar me 30 vjet burgim.

Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës, dhe Granit Plava janë shpallur fajtorë për vrasje të rëndë, ndërsa Kushtrim Kokalla është shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Murseli, Plava e Kokalla, të cilët nuk kanë qenë të pranishëm në seancën e shpalljes së aktgjykimit, janë dënuar për vrasjen e Liridona Ademajt, të kryer në nëntor të vitit 2023.

Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për të tre të akuzuarit, Por trupi gjykues e ka pranuar kërkesën e prokurorisë për dënim me burgim të përjetshëm vetë për dy të akuzuarit er parë – Murselin që e kishte planifikuar e organizuar vrasjen dhe Plavën që e kishte kryer vrasjen.

Sipas aktakuzës, ata ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës ishte bërë nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se Murseli ia kishte shpalosur planin fillimisht Kokallës, i cili kishte refuzuar ta kryente vrasjen, por ai e kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin.

Armën për kryerjen e vrasje e kishte siguruar Murseli. Ai e kishte blerë atënga Tom Dodaj, i cili e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 5 vjet burgim, dënim ky që më pas i ishte ulur në tri vjet burgim nga Gjykata e Apelit.

Avokati i familjes së Liridona Ademajt të ndjerë, Leutrim Syla, e ka cilësuar të drejtë dënimin e Murserlit dhe Plavës, ndërsa ka paralajmëruar ankesë për dënimin e Kokallës.

Vëllai i Liridona Ademajt të ndjerë, Leonard Ademaj, e ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Themelore.

“ Ky vendim  na ka lehtësuar neve sadopak, por është vendim që e kemi pritur të gjithë, jo vetëm familja”, ka thënë ai.

“Ky vendim nuk shkon vetëm për ne, por edhe për Liridonën dhe për fëmijët e saj që nuk do ta shohin më nënën  e tyre. Ky vendim është edhe për ata që mendojnë të kryejnë një krim të tillë”, ka shtuar ai. 

(r.m.)

Comment

*