Prishtinë, 6 qershor 2025 – Besimtarët e fesë islame janë duke festuar të premten festën e Kurban Bajramit, duke bërë lutje për paqe dhe solidaritet mes njëri-tjetrit.
Ceremonia kryesore në Kosovë është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, nën drejtimin e myftiut Naim Tërnava, i cili ka thënë se festa e Kurban Bajramit është ditë gëzimi, por edhe reflektimi.
“Është ditë kur kujtojmë mëshirën e Zotit, faljen dhe begatinë që ai na dhuron. Është ditë kur ne si besimtarë, por edhe si shoqëri, i kthejmë sytë edhe më shumë ndaj njëri-tjetrit me dhembshuri, solidaritet dhe përgjegjësi”.
Liderët shtetërorë të Kosovës i kanë uruar besimtarët për këtë festë, duke bërë thirrje për harmoni dhe begati në çdo familje.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kurban Bajrami është thirrje për reflektim dhe forcim të lidhjeve.
“Në këtë ditë të veçantë, uroj që në secilën shtëpi të mbizotërojë gëzimi, shëndeti dhe dashuria. Qoftë kjo festë një burim frymëzimi për një të ardhme më të ndritur, me më shumë dhembshuri, mirësi dhe respekt të ndërsjellë”.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “kjo festë na përkujton sa e rëndësishme është të japim e të ndajmë me njëri-tjetrin, në harmoni e me dashuri”.
“Uroj që kjo ditë t’ua gjejë zemrat e tryezat të mbushura përplot, dhe paçi mbarësi e mirësi, shëndet e lumturi sot e mot”, ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook.
Festa e Kurban Bajramit karakterizohet me pelegrinazhin e Haxhillëkut dhe flijimin e kurbanit apo therjen e dashit.
Haxhillëku është një ndër pesë shtyllat e Islamit.
Sipas mundësive fizike dhe financiare, myslimanëve u kërkohet që ta kryejnë këtë ritual së paku një herë në jetë.
Rituali pesëditor mbahet në Arabinë Saudite, ku ndodhen vendet më të shenjta të Islamit.
Këtë vit, këtë obligim janë duke e kryer mbi 1.5 milion pelegrinë.