Mustafa bisedoi me Kurtin për “koalicionin e normalitetit”, LVV-PDK. Distancohet PDK-ja

Prishtinë, 15 shtator 2026 – Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa, ka bërë të ditur se ai është takuar me Kryeministrin e Kosovës dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurtin. Ai ka thënë se në këtë takim, të cilin e ka cilësuar si “të frytshëm”, është biseduar për “platformën” e tij për zgjidhjen e ngërçit politik që ka pamundësuar formimin e institucioneve të reja.

“Personalisht kam pasur takim të rëndësishëm, të gjatë e të frytshëm me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ditëve të fundit. Krejt lidhur me platformën që e kam shpalosur. Ndoshta jo të gjitha detajet që sot lexohen”, ka thënë Mustafa në emisionin “Interkativ” të KTV-së.

Mustafa e ka propozuar publikisht formimin e një koalicioni mes LVV-së, PDK-së dhe komuniteteve joshumicë, të cilin e ka cilësuar si “Koalicion të Normalitetit”.

Ai ka thënë se Kurtin e ka njohur me idenë e tij dhe se pret që në ditët në vazhdim të krijohet mundësia për arritjen e marrëveshjes për formimin e koalicionit qeverisës sipas idesë së tij.

Por, PDK-ja e ka cilësuar qëndrimin e deputetit të saj, Rrustem Mustafa, si qëndrim personal të tij.

Bashkëpartiaku i Mustafës, Përparim Gruda, ka thënë se PDK-ja është kundër çfarëdo dialogu me LVV-në.

“Zoti Mustafa e ka një qëndrim personal dhe ai është vetëm qëndrim i tij. Partia Demokratike e Kosovës nuk ka më dialog me Lëvizjen Vetëvendosje. Qëndrimet tona janë të qarta dhe janë bërë të ditura nga kryetari i Partisë”, ka deklaruar Gruda.

PDK-ja ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjen e Qeverisë së Re të Kosovës. Ajo vlerwson se Kuvendi wshtw konstituuar nw shkelje tw Kushtetutws, prandaj edhe qeveria e zgjedhur nga ky Kuvend wshtw jokushtetuese.

Rrustem Mustafa, në platformën që e publikoi të hënën në Facebook, propozon që pozitën e Presidentit ta marrë PDK-ja, kurse pozitwn e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit t’i mbajë LVV-ja.

Platforma e Rrustem Mustafës:

Platformë për zhbllokimin institucional të Kosovës

Kosova nuk ka nevojë për trazira të reja politike, e as për kriza që nesër do të përdoren si justifikim për pranimin e një realiteti që mund ta ndryshojmë sot.

KOALICIONI PËR NORMALITET

Të nderuar kolegë dhe qytetarë,

Kuvendi mbetet i bllokuar dhe qytetarët nuk mund të presin më. Thirrja ime për kapërcimin e inateve politike mund të shndërrohet në zgjidhje konkrete shtetërore.

Zgjidhja ekziston në vullnetin politik të shumicës parlamentare të përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe komunitetet joshumicë. Kjo formon bazën e një Pakti për Shtetin, të ndërtuar mbi tri shtylla kryesore:

Shtylla e Legjitimitetit:

Si forca e parë parlamentare, LVV-së i njihet roli udhëheqës në institucione dhe përgjegjësia kryesore në drejtimin e Qeverisë dhe Kuvendit, duke respektuar vullnetin e qytetarëve.

Shtylla e Balancës dhe Stabilitetit Presidencial:

PDK merr përgjegjësinë për të garantuar kontrollin demokratik, balancën institucionit dhe orientimin euroatlantik përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të qëndrueshme për ndarjen e përgjegjësive. Si pjesë e këtij ekuilibri shtetëror, partitë e koalicionit marrin obligim që PDK të udhëheqë me Presidencën.

Komunitetet Joshumicë:

U garantohet përfaqësimi i plotë dhe roli i tyre kushtetues në institucionet e Republikës.

Kjo është marrëveshje për përgjegjësi. Nuk kërkohet që askush të heqë dorë nga legjitimiteti politik, por që ky legjitimitet të kombinohet me balancën e nevojshme për institucione funksionale.

Orientimi Strategjik dhe Parimet Shtetërore.

  1. Partneriteti Euroatlantik: Qeveria e Kosovës duhet të ndërtojë bashkëpunim të qëndrueshëm, strategjik dhe efektiv me SHBA-në dhe NATO-n si garanci e sigurisë sonë kombëtare.
  2. Vizioni Kombëtar: Institucionet duhet të përafrohen plotësisht me shtetin shqiptar dhe me shqiptarët kudo në rajon, duke ndërtuar një platformë të përbashkët politike, ekonomike e kulturore.
  3. Mbrojtja e Vlerave Çlirimtare: Shteti duhet të afrohet me çlirimtarët, duke hequr çdo pengesë ligjore, propagandistike apo administrative që i ndan ata nga institucionet dhe nga narrativa zyrtare e shtetndërtimit.
  4. Përgjegjësia Shtetërore: Kryeministri i Kosovës ka mundësinë historike të ndërtojë politika të drejta, vizionare dhe transparente kombëtare dhe nuk ka më të drejtë apo hapësirë të na zhgënjejë.

Kryetar i LVV-së, Albin Kurti çelësi është në duart e tua.

Si udhëheqës i forcës më të madhe parlamentare, ke përgjegjësinë për ta hapur këtë tryezë. Ky propozim njeh legjitimitetin tuaj, por kërkon balancë dhe garanci për shtetin.

Besoj se PDK është e gatshme ta marrë pjesën e saj të përgjegjësisë.

Kosova nuk ka nevojë për trazira të reja politike, e as për kriza që nesër do të përdoren si justifikim për pranimin e një realiteti që mund ta ndryshojmë sot.

Ka një rrugë tjetër: marrëveshje politike, përgjegjësi dhe vullnet për ta ndërtuar shtetin normal.

Koalicioni për Normalitet nuk është kompromis me të ardhmen. Është përgjegjësi ndaj vendit.

Kosovës i duhet mundësia për të ecur përpara, jo një krizë tjetër.

Le ta shndërrojmë këtë zgjidhje politike në normalitet, zhvillim dhe perspektivë evropiane.

Nga bllokada te institucionet.

Nga përplasja te përgjegjësia.

 

Rrustem Mustafa

Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës

(r.m.)