Mustafi: Shqiptarët në Luginë të Preshevës po përballen me spastrim etnik

Prishtinë, 29 gusht 2022 – Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafi, deklaroi se shqiptarët atje po përballen me spastrim etnik. Ai ka thënë se janë dy faktorë që po idetyrojnë shqiptarët të largohen nga trojet e tyre.

“Faktori i parë është diskriminimi sistematik që iu bëhet shqiptarëve të Luginës nga Serbia në çdo fushë, e faktori i dytë është qasja armiqësore ndaj shqiptarëve, gjë që ka bërë që ata të mos integrohen si duhet. Statistikat tregojnë se shqiptarët janë larg integrimit në institucione”, ka thënë Mustafi në emisionin “60 Minuta” të KTV-së.

“I kemi 12 gjykatës, nga 28 sa janë gjithsej, por asnjeri nuk është në nivelin e dytë të gjykatësve. Në institucionet republikane është 1-2 për qind përfshirja e shqiptarëve në ato institucione. Shqiptarët janë pak të integruar në institucione publike”, ka thënë ai.

Mustafi ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë do të ndikonte në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Shqiptarët e Preshevës janë peng e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Çdo marrëveshje është një hap për t’i relaksuar marrëdhëniet. Kjo marrëveshje (për dokumentet v.j.) si dhe ajo përfundimtare, në të cilën shpresoj se do të përfshihet edhe Lugina, e zgjidhja e saj krahas aspiratave politike, do të ishte vendosja e paqes së qëndrueshme”, ka thënë ai.

Mustafi ka përsëritur se shqiptarët në Luginë të Preshevës duhet të gëzojnë të drrejta të njëjta me ato të serbëve në Kosovë.

“Shqiptarët e Luginës duhet t’i gëzojnë të drejtat, si serbët e Kosovës. S’ka arsye që serbët në Kosovë të kenë më shumë mundësi dhe barazi e liri se shqiptarët e Luginës së Preshevës”, ka theksuar ai.

(r.m.)